Aeroporti i Rinasit arrin mbi 1 milion pasagjerë gjatë muajit qershor
Gjatë muajit qershor 1,067,405 pasagjerësh kanë kaluar nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, shifër kjo që tejkalon numrin e pasagjerëve të qershorit të vitit të kaluar prej 667,521, duke shënuar një rritje prej 61.6% nga viti në vit.
Periudha nga janari deri në qershor 2024 ka gjithashtu një rritje të jashtëzakonshme, duke mirëpritur 4,790,368 pasagjerë, krahasuar me 2,894,358 pasagjerë gjatë së njëjtës periudhë në vitin 2023 duke shënuar një rritje prej 65% nga viti i kaluar.
“Tejkalimi i 1 milion pasagjerëve dhe më shumë se 5850 lëvizje avionësh në një muaj të vetëm, nuk është vetëm një dëshmi e punës së palodhur dhe përkushtimit të të gjithë punonjësve dhe profesionistëve të TIA-s, por vërteton se investimet thelbësore të bëra në infrastrukturat ajrore, zgjerimi i terminalit dhe pajisjet e sigurisë, janë duke dhënë rezultatet e pritshme. Në TIA, të gjithë janë të përkushtuar për të ofruar standardet më të larta në funksionimin e aeroportit, duke respektuar rregulloret e sigurisë nën mbikëqyrjen e Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar,” u shpreh Piervittorio Farabbi, Drejtori Operacional i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës.
TIA ka zgjeruar destinacionet për udhëtarët si në Europë dhe me destinacionet e largëta. Disa prej destinacioneve të reja janë Nisë në Francë, Rodhos dhe Heraklion në Greqi, Barcelona dhe Valencia në Spanjë, Bukureshti në Rumani, Bodrum, Antalia dhe Stamboll në Turqi, Abu Dabi në Emiratet e Bashkuara Arabe etj.