Aeroporti i Stambollit, i pari në Europë për tri ulje-ngritje avionësh njëkohësisht
Aeroporti i Stambollit do të jetë i pari në Europë që do të mundësojë ulje-ngritjen e tre avionëve njëkohësisht në pistën e aerodromit.
Sipas raporteve të Eurokontrollit, organizatës për sigurinë ajrore të Europës, Aeroporti i Stambollit ishte më i frekuentuari në kontinent në vitin 2023, mesatarisht me 1.309 fluturime çdo ditë.
“Që të përdorim burimet në dispozicion të Aeroportit të Stambollit sipas mënyrës më efektive të mundshme, prej vitit 2022 kemi nisur zbatimin e ‘Operacioneve të Paralele të Trefishta në Pistë’. Do të nisim trajnimet që muajin e ardhshëm dhe provat brenda vitit. Ky sistem ekziston vetëm në SHBA në rang global. Kur ta hapim në Turqi, do të jetë i pari sistem për gjithë Europën,” shprehet ministri turk i Transportit dhe Infrastrukturës, Abdulkadir Urallollu (o. Uraloğlu).
Aeroporti i Stambollit u hap zyrtarisht në fund të vitit 2018 dhe u bë funksional në prill të 2019-s. Pista e tretë e aerodromit u inaugurua në qershor 2020.
Çdo vit kjo nyjë proceson rreth 90 milionë pasagjerë në fazën aktuale, por potenciali real vlerësohet se mund të arrijë 200 milionë pasagjerë kur të përfundojnë të katra fazat e zhvillimit të aeroportit brenda vitit 2028.
Linja kombëtare “Turkish Airlines” aktualisht zë rreth 80 për qind të gjithë trafikut në Aeroport mes më shumë se 100 kompanive ajrore që operojnë në vend. /DS