Aeroporti “Nënë Tereza”, Balla: Mbi 626 mijë pasagjerë në janar, tjetër rekord
Aeroporti “Nënë Tereza”, shënon një tjetër rekord. Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka bërë me dije se gjatë janarit të 2024-ës, kanë hyrë dhe kanë dalë nga Shqipëria rreth 626 mijë pasagjerë.
Krahasuar me të njëjtën periudhë me një vit më parë, në këtë pikë kalimi kufitar kanë kaluar më shumë se 92 mijë pasagjerë.
“Aeroporti “Nënë Tereza”, porta më e madhe hyrëse shënon një tjetër rekord. Gjatë janarit 2024, Policia Kufitare ka mirëpritur dhe ju ka uruar udhëtim të mbarë plot 626.407 pasagjerëve. Krahasuar me janarin 2023 në këtë pikë kalimi kufitar kanë kaluar 92.500 pasagjerë më shumë në muajin e parë të këtij viti. Punonjësit e Policisë Kufitare janë kontakti i parë dhe i fundit i vizitorëve me Shqipërinë, prandaj sjellja e tyre përbën përshtypjen e parë dhe kujtimin e fundit nga atdheu i shqiponjave.
Prandaj çdo ditë i kërkoj të dëshmojnë me sjelljen e tyre se shtëpia e shqiptarit është e zotit dhe mikut. Gjatë vitit 2024 Shqipëria pret një numër edhe më të madh turistësh sesa vitin e kaluar dhe detyra jonë është pakthyeshmëria dhe konfirmimi edhe më i besueshëm i Shqipërisë si kampionë të Ballkanit në turizëm dhe destinacion me siguri publike mbresëlënëse”, tha Balla.