Age Vokrri, gruaja mirditore që mban gjallë traditën e kostumeve të zonës
E shpallur vlerë kombëtare e trashëgimisë kulturore jomateriale, veshja mirditore punohet dhe prodhohet në Lezhë.
Atë e realizon Age Vokrri, një grua mirditore, e cila është ndër të vetmet që po mban gjallë traditën.
E frymëzuar nga nëna, thotë se nisi të endë që në moshë të vogël dhe këtë profesion e vijon prej 25 vitesh.
“Unë jam vetë mirditore dhe traditat e familjes sime kam qejf të mos i harroj. Por zakonte janë këto, stringlat, xhupat,” thotë artizania.
E gjejmë duke punuar një xhup në punishten e saj të vogël në qytetin e Lezhës, ndërsa tregon stilin që përdor për të ruajtur origjinalitetin.
“Një veshje e plotë, me xhup, qemer e të tëra, mund të shkojë edhe tre muaj,” tregon znj. Vokrri.
Diçka e tillë është mjaft e lodhshme, por krahas pasionit puna i është kthyer në burim të ardhurash për familjen, tregon Age Vokrri.
“Kam shumë kërkesa, sidomos nga emigrantët. Kam pasion, por punoj edhe prej fitimit, se nuk kam ku të punoj,” shton ajo.
Kjo grua mund të konsiderohet si shembulli më pozitiv i ruajtjes së traditës dhe përçimit tek brezi i ri, të cilët po e kërkojnë gjithnjë e më shumë veshjen mirditore me një histori qindravjeçare.