Agjencia e Trajtimit të Pronave vazhdon aktivitetin
Duke raportuar në Komisionin parlamentrar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut për aktivitetin një vjetor të institucionit që drejton, Eva Bica drejtoresha e komanduar e Agjencisë së Trajtimit të Pronave tregoi përmes shifrave numrin e vendimeve dhe vlerën financiare.
“Janë njoftuar për plotësim dokumentacioni 1302 aplikime, ndërkohë janë ekzekutuar 9 dosje për kompensim nga të cilat 4 dosje për kompensim me vlerë të veçantë 9.3 milionë lekë dhe vlera e kursyer për shtetit është 69.7 milionë lekë. 4 dosje me kompensim financiar deri në 1.5 milionë lekë të cilat janë kompensuar 100% dhe një dosje në formën e kompensimit 20% në vlerë financiare dhe 80% kompensim fizik” tha zonja Bica.
Sipas saj ndaj institucionit të saj janë ngritur 345 padi dhe 51 rekurse, ndërsa rezulton se janë depozituar në Gjykatë 30 padi për kundërshtim të kompensimit financiar, ose e thënë më thjesht është kundërshtuar 1% e vendimeve të rivlerësimit.