Agron Gjekmarkaj për RTSH-në: Opozita të kthejë në Kuvend forcën e fjalës
Nënkryetari demokrat i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj e konsideron përtej një akti të rëndë, përjashtimin e 19 deputeteve opozitar nga punimet parlamentare si një masë ndërshkuese e përkohshme për aktet e tyre të mosbindjes civile. Në një intervistë për RTSH-në, ai tha se Kryeministri ka provokuar opozitën dhe se reagimi nuk duhet të jetë vetëm i saj.
“Reaguam të shtrënguar nga rrethanat. Është një provokim i fortë që i bëhet dëshirës për të qenë bashkë në një sistem dmeokratik. Çështja është se si duhet të reagojë opozita pas kësaj. Por më shumë se sa opozita, si do reagojë vetë shoqëria sepse është e paprecedentë të përjashtosh nga jeta parlamentare gjithë opozitën“, tha ai.
Gjekmarkaj tha se aksioni opozitar duhet të diversifikohet. Krahas akteve të mosbindjes civile, si pasojë e mohimit të të drejtave kushteteuse të opozitës, gjykon se ligjëvënësit duhet t‘i kthehen edhe forcës së fjalës.
“Protestën në vetvete ne duhet ta kthejmë në motorr të diskurit politik, në sensin që nëse ne kemi kërkuar 8 komisione hetimore dhe të 8-ta na mohohen, opozita rikthehet te foltorja e Kuvendit dhe të flasë për të 8-të komisionet“, shtoi ai.
Për Gjekmarkajn, bashkimi i opozitës është domosdoshmëri, pasi e fragmentarizuar ajo nuk mund të përmbushë misionin. Zgjidhje për të, është një parti demokratike plurale dhe pranimi i fraksioneve.
“Duhet shkuar drejt një faksioni të fortë me rregulla të qarta, i cili ruan koherencën e vetë, pranon verdiktin e shumicës dhe lufton që idetë e veta një ditë të bëhen shumicë”, theksoi Gjekmarkaj.
Ky i fundit thekson se Berisha është i interesuar për bashkimin e demokratëve, ndërsa vlerëson rolin e tij në këtë proces.