Agroturizmi në Shqipëri, deri në 2027 pritet që ndikimi në ekonomi të kapë vlerën 14.2 milionë euro

Shqipëria synon që deri në vitin 2027 agroturizmi të ketë një ndikim në vlerën 14.2 milionë euro në ekonominë shqiptare.

Në terma ekonomikë, deri tani, ka mungesë të të dhënave zyrtare për të llogaritur ndikimin në aspektin e xhirove të agroturizmit në ekonominë kombëtare, por në bazë të studimeve, duke marrë në vlerësim se xhiroja e një subjekti të agroturizmit është rreth 142,000 euro në vit, krahasuar me objektivin e pasjes së 100 subjekteve të certifikuara të agroturizmit deri në vitin 2027, parashikohet se ndikimi do të jetë në vlerën 14, 2 milionë euro, krahasuar me 3,55 milionë euro në vit për 25 subjektet aktuale të certifikuara të agroturizmit.  

Përllogaritjet pasqyrohen në dokumentin strategjik për agroturizmin shqiptar, në të cilin nënvizohet se “sektori shqiptar i agroturizmit mund të përfaqësojë një risi dhe zbulim në tregun ndërkombëtar të turizmit”.

Trashëgimia historike, kulturore dhe natyrore

Shqipëria përfshihet në listën e vendeve me potencial të madh për trashëgiminë natyrore, historike dhe kulturore dhe me një numër të madh atraksionesh natyrore, nga bregdeti i Adriatikut dhe i Jonit e deri te parqet kombëtare dhe natyrore, zonat e mbrojtura, ligatinat etj.

Dokumenti nënvizon se pengesa e parë për shijimin e këtyre zonave natyrore është vështirësia për t’i arritur ato, si për shkak të mungesës së një rrjeti rrugor apo mungesës së transportit publik, ashtu edhe për shkak të sinjalistikës së varfër rrugore.

Problemi i infrastrukturës rrugore shihet me ndikimin më të madh në strukturat e agroturizmit, të cilat ndodhen pothuajse të gjitha në zona të thella.

“Përpjekjet për promovimin e turizmit në vend pengohen shpeshherë nga pamundësia, veçanërisht për grupet e vogla dhe të mesme të turistëve, për të planifikuar itinerare ose nga koha e tepërt që nevojitet për të arritur destinacione të ndryshme dhe atraksione turistike dhe kulturore.”, theksohet në strategjinë për agroturizmin shqiptar.

Monumentet kulturore në Shqipëri, të cilat janë thuajse 2000, përfaqësojnë një burim thelbësor që e vë vendin tonë në vend të dytë në pellgun e Mesdheut për nga dendësia e monumenteve kulturore.

Por për fat të keq, mungesa e njohurive lidhur me to dhe vështirësia për t’i arritur ato ose mungesa e shërbimeve e bëjnë të pa qenë këtë pasuri të madhe.

Nga ana tjetër, mungon edhe integrimi i burimeve natyrore dhe kulturore që ofrohen nga strukturat e agroturizmit, shpeshherë si të vetmet burime për të ofruar veprimtarinë pritëse në zonat e largëta dhe margjinale.

Ndërlikimet në legjislacion

Ndërlikimet lidhur me legjislacionin aktual janë të konsiderueshme. Ndonëse lehtësia për të hapur një restorant apo një biznes që ushtron veprimtari pritëse në zonat rurale mund të theksohet si aspekt pozitiv, konsumatori e ka të pamundur të bëjë dallimin midis dy llojeve të agroturizmit (atij të certifikuar dhe jo të certifikuar) në treg, gjë që krijon konfuzion dhe shpeshherë reputacion të keq lidhur me origjinalitetin dhe karakterin unik të ofertës.

“Për më tepër, vendimi për të zgjedhur kritere agronomike specifike për certifikim, ndonëse nxitet nga nevoja për të qartësuar kufijtë e ndërhyrjes së shtetit për sa u përket subvencioneve, mbart riskun e kufizimit të mundësive ekonomike dhe të sipërmarrjes për lloje të caktuara fermash. Lind nevoja që të miratohen ndryshime legjislative për përshtatjen e kritereve me nevojat e ndryshueshme të sferës së prodhimit.”, theksohet në dokument.

Problemet e pronësisë

Pavarësisht se përhapja e një numri të madh fermash të vogla paraqet, nga njëra anë, një tipar karakteristik, në realitet, problemet lidhur me pronësinë e tokës dhe fragmentimin e pronës së fshatarëve e bëjnë të vështirë tërheqjen e investimeve dhe zbatimin në praktikë të një modeli të stilit italian të fokusuar te paraqitja, duke pasur parasysh numrin e vogël të fermave të regjistruara dhe numrin e kufizuar të shoqërive që janë të afta të shesin lëndë të para dhe produkte bujqësore të kontrollueshme.

Biodiversiteti

Biodiversiteti i pasur i bujqësisë shqiptare, tradita e gjatë e përdorimit të bimëve të egra dhe aromatike, autenticiteti i prodhimeve dhe metodave tradicionale, varietetet e shumta në vreshta dhe ullishte (që përbëjnë përgjithësisht një risi për turistët ndërkombëtarë), prodhimi i mjaltit në zona të largëta dhe margjinale, mishrat e shkëlqyer dhe kopetë e egra që enden zonave malore i mahnisin turistët dhe i nxisin ata të provojnë, blejnë e eksperimentojnë me prodhimet vendase.

“Këto thesare shqiptare përbëjnë bazën e një agroturizmi të suksesshëm, i cili arrin të promovojë dhe të rrëfejë historinë e zonës duke dëshmuar njëkohësisht pasurinë e madhe të trashëgimisë rurale: kapitalin njerëzor dhe pasionin e burrave dhe grave që arrijnë të përftojnë edhe prej tokave më të egra prodhime autentike me vlera të mëdha për shëndetin.”, thuhet në strategjinë për agroturizmin shqiptar.

Kjo mund të arrihet nëse miratohet një infrastrukturë legjislative për bujqësinë që i jep përparësi anës së gjerë funksionale, informimit dhe trajnimit.

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.