AIDSSh propozon ndryshime në ligjin për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist
Autoriteti për Infromimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit propozon disa ndryshime në ligjin për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist.
Ndryshimet prekin të internuarit në kampe me tela me gjemba, të lindurit dhe të miturit nën 15 vjeç në internim, rritjen e masës së dëmshpërblimit, me 25 vite burgim, për familjarët e të ekzekutuarve, vendosjen e pagesës fikse për të dënuarit me punë të detyruar, si dhe zgjatje të afatit për subjektet përfituese.
Nisur nga problematikat dhe përvojat e punës, artikulimet nga Shoqata së ish-të Përndjekurve Politikë dhe grupet e interesit, si dhe pas analizës së legjislacionit mbi dëmshpërblimet në tërësi, AIDSSh thotë se konsideron të nevojshëm shtimin dhe ndryshimin e dispozitave të tjera, përtej atyre që janë parashikuar deri më tani në këtë projekt-ligj.
Konkretisht në adresimin e përshtatshëm ligjor të situatës së personave që vuajtën në kampe të internimit me tela me gjemba me qëllim vërtetimin e periudhës së internimit si dhe masën e dëmshpërblimit.
Sipas AIDSSh, dëmshpërblimi i kësaj kategorie të internuarish deri më tani ka qenë i pamundur për shkak të vështirësisë për të provuar internimin si dhe periudhën e vuajtjes në kampe.
Ky adresim, sipas AIDSSh-së, përfshin verifikimin e nevojshëm administrativ edhe përmes dokumenteve alternativë të para 1991 të tilla si komunikata ditore të policisë, tabela, radiograme, dosje të hetuesisë, dosje formulare, dëshmi të të mbijetuarve, të dhënat e administruara dhe vendimet (dokument pas vitit 1991) e komisioneve të mëparshme, si për shembull, ai i njohur si Komisioni Tri-Palësh.
Këto dokumente mund të merren në konsideratë për qëllime të vërtetimit të periudhës së internimit si dhe masën e dëmshpërblimit.
Për rastet e pamundësisë së evidentimit të numrit të saktë të ditëve të kaluara në internim në kampe me tela me gjemba, AIDSSh propozon parashikimin e një mase dëmshpërblimi fikse të përcaktuar në ligj, 1000 lekë për ditë siç është parashikimi aktual.
Ndryshimi duhet të përcaktojë edhe rolin e AIDSSh në këtë proces, sidomos bashkëpunimin e ngushtë me Ministrinë e Drejtësie edhe përmes ngritjes së grupeve të punës apo taskforce të përbashkëta për verifikime posaçërisht të internimeve në kampe me tela me gjemba me vështirësi dokumentimi, jo për faj të personave të internuar dhe verifikime të rasteve të të lindurve apo të miturve në internim.
Po ashtu, adresimin e përshtatshëm ligjor të situatës së personave që lindën në internim apo ishin të mitur, nën moshën 15 vjeç, në kushte të internimit, me qëllim mundësinë e verifikimit administrativ, vërtetimit të internimit, përcaktimit të rolit të AIDSSh në këtë proces, si dhe përfitimit të një dëmshpërblimi qoftë edhe simbolik. Përfshirja e këtij propozimi në ndryshimet e ligjit çon në rrëzimin e kufizimit moshor për përfitim nga të miturit që vuajtën në kampet e internimit me tela me gjemba.
AIDSSh ka konstatuar vështirësinë e dokumentimit dhe pengesa për dëmshpërblime të personave që kanë lindur në internim ose kanë qenë të mitur në kohën e internimit pasi aktet administrative apo dokumente zyrtarë të kërkuar nga kuadri ligjor në fuqi kanë qenë për prindërit ndërsa për të lindurit a të miturit në internim, nuk ka akte individuale të kësaj natyre. Ndërkaq Udhëzimi i vitit 1992 në pikën 10 të tij, parashikon se koha e internimit dhe e dëbimit për motive politike, nuk njihet si vjetërsi pune përpara moshës 15 vjeç.
Për raste pamundësie të llogaritjes së kohës së saktë të kaluar në internim, sugjerohet edhe për këtë kategori alokimi i një shume fikse dëmshpërblyese.
Njëkohësisht, prioritizimin për efekt pagese, të rrethit të familjarëve për viktimat e vrara apo të ekzekutuara gjatë komunizmit, harmonizimin e përkufizimit, në nenin 8, të “rrethit të familjarëve” dhe rrethit të trashëgimtarëve me Kodin Civil, për qëllime të përfitimit sipas nenit 7 të ligjit, si dhe barazimin e masës së dëmshpërblimit sipas nenit 7 jo me 8 vite burgim por me 25 vite burgim.
AIDSSh propozon zgjatjen e afatit, deri më 31 dhjetor të vitit 2025, për të gjithë subjektet përfituese. ”Një afat më i gjatë do ishte i nevojshëm edhe për të krijuar mundësi dhe hapësira të verifikimit të përshtatshëm për kategoritë e lartpërmendura, nëse situata e tyre adresohet sipas këtyre sugjerimeve”, argumenton AIDSSh.
Njëkohësisht autoriteti propozon përshpejtimin e procesit për dëmshpërblimet e mbetura. Për përfitues të cilët për shkak moshe a gjendjeje shëndetësore (si kur përfituesi është vetë ish-i përndjekuri përfitues, ashtu edhe për familjarë të viktimave të vrara apo të ekzekutuara), përfitimi i plotë i masës së dëmshpërblimit duket të ketë probabilitet të ulët, konsiderimin e mundësisë së pagesës së shumës së mbetur në një këst total të vetëm e jo me këste të copëzuara, në një kohë sa më të afërt.
Për të gjithë ish-të përndjekurit të cilët, në kushtet e vuajtjes së dënimit, kanë kryer edhe punë të detyruar (si për shembull në miniera) AIDSSh kërkon të konsiderohet mundësia e një pagese fikse mujore si shpërblim për punën e detyruar, e cila nuk prek përfitimet e tjera të deritanishme.
Që prej vitit 2017 e deri me sot, Autoriteti ka trajtuar 1220 kërkesa të kësaj natyre ku një në tre ka rezultuar pa të dhëna arkivore. Këto kërkesa me miratimin e ndryshimeve të propozuara nga AIDSSh do të gjenin rrugën e zgjidhjes në procesin e dëmshpërblimit dhe rehabilitimit.