Akademia e Shkencave kujton 80-vjetorin e Çlirimit, Milo: Lufta Antifashiste forcoi pozitën ndërkombëtare të Shqipërisë
Me rastin e 80-vjetorit të Çlirimit, Akademia e Shkencave organizoi sot konferencën shkencore ndërkombëtare “Në 80-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë nga pushtimi nazifashist”.
Konferenca erdhi në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Akad. Gjinushi u shprehu të pranishmëve urimet për festën e 80-vjetorit të Çlirimit të vendit dhe falënderoi organizatorët e konferencës dhe pjesëmarrësit nga Kosova, Maqedonia e Veriut, nga Akademia Ushtarake dhe Akademia e Policisë, etj.
Ai theksoi se, qasja ndaj rolit të shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, Kosovë e Maqedoninë e Veriut, një nga ngjarjet më të mëdha e më tragjike të njerëzimit, ka të bëjë jo thjesht me qëndrimin ndaj një periudhe historike, por me vlerësimin e një prej tipareve më të vyera të një populli, atë të antifashizmit, tipar themelor ky i popujve sot, në botën demokratike.
Më pas prof. dr. Paskal Milo, mbajti kumtesën “Shqipëria antifashiste në anën e duhur të historisë në Luftën e Dytë Botërore”. Ai theksoi se Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe rreshtimi krahas Aleatëve të Mëdhenj të Kombeve të Bashkuara forcoi pozitën ndërkombëtare të Shqipërisë dhe e shpëtoi atë nga disa përpjekje që u bënë pas lufte për t’i cenuar integritetin territorial dhe ndërhyrjen në punët e brendshme.
Studiuesi italian, prof. Alberto Basciani, foli për figurën e prof. gjeneral Parianit dhe fundin e sundimit italian në Shqipëri (mars – shtator 1943).
Akad. Pëllumb Xhufi mbajti kumtesën “Kolaboracionizmi në Luftën e Dytë Botërore: rasti shqiptar”. Ai pasi bëri një përshkrim të forcave aleate dhe kundërshtare që morën pjesë në luftë, theksoi se dokumente të shumta të pushtuesve italianë e gjermanë, të misioneve aleate anglo-amerikane, të qeverive kuislinge e të organizatave Balli Kombëtar e Legaliteti provojnë qartë se parulla e të ashtuquajturës “Shqipëri etnike” që ata përdorën gjatë viteve të luftës për të përligjur kolaboracionizmin e tyre, ishte thjesht e vetëm propagandë. Në fakt, ata nuk munguan të iniciojnë marrëveshje me qarqet antishqiptare fqinje për përfshirjen e Shqipërisë, pa Kosovën e Çamërinë, si njësi federale në kuadrin e shtetit jugosllav apo të atij grek.
Ne konferencë referuan edhe dr. Roderick Bailey nga University of Oxford, prof. dr. Et’hem Çeku, prof. dr. Sonila Boçi, akad. Hamit Kaba, akad. Vasil S. Tole, prof. dr. Bujar Dugolli, prof. asoc. dr. Marenglen Kasmi, prof. dr. Irakli Koçollari etj.
Gjatë kësaj konference përmes punimeve shkencore u bë e qartë se shqiptarët zgjodhën rrugën më të drejtë për të rifituar lirinë dhe pavarësinë e tyre, përmes rezistencës antifashiste dhe luftës çlirimtare kundër shteteve pushtuese fashiste.
Shqiptarët për herë të parë me luftën e tyre u imponuan si subjekt e faktor ndërkombëtar dhe nuk lejuan të trajtoheshin si më parë në kulisat e politikës e të diplomacisë të Fuqive të Mëdha që vendosnin për fatin e tyre dhe të Shqipërisë pa i pyetur e duke i nëpërkëmbur. Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe rreshtimi krahas Aleatëve të Mëdhenj të Kombeve të Bashkuara forcoi pozitën ndërkombëtare të Shqipërisë dhe e shpëtoi atë nga disa përpjekje që u bënë pas Lufte për t’i cenuar integritetin territorial dhe ndërhyrjen në punët e brendshme.