Akademia e Sigurisë përfshihet në portalin “UAlbania”, 100 kuota në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit

Akademia e Sigurisë do të jetë pjesë e aplikimeve të maturantëve në portalin “UAlbania” për ndjekjen e studimeve të larta.

Si një urë lidhëse mes maturantëve dhe botës akademike, ky portal (ualbania.al) do të ofrojë këtë vit mundësinë për aplikim për t’u pranuar në programin e ciklit të parë “bachelor” edhe në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit.

Për të gjithë të rinjtë, që do të zgjedhin Akademinë e Sigurisë dhe do të nisin rrugën për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit, do të ketë në dispozicion 100 kuota të lira. Në përfundim të studimeve trevjeçare në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit, të diplomuarit do të marrin gradën “nënkomisar” dhe do të shërbejnë në strukturat e Policisë së Shtetit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, e cilësoi një hap të rëndësishëm përfshirjen e Akademisë së Sigurisë në procesin e aplikimit të maturantëve për të ndjekur studimet e larta, nëpërmjet portalit “UAlbania”.

“Integrimi i vazhdueshëm i Akademisë së Sigurisë me botën universitare dhe atë akademike do të sjellë një mundësi më shumë për maturantët, të cilët i ftoj të bëhen pjesë e Policisë së Shtetit, duke aplikuar për të ndjekur studimet e larta, me programe cilësore dhe staf të kualifikuar mësimdhënës. Ky hap do të garantojë në të ardhmen rritjen profesionale të trupës së policisë, si një premisë e rëndësishme për garantimin e rendit e sigurisë publike dhe parandalimin e goditjen e krimit”, u shpreh Rrumbullaku.

Akademia e Sigurisë është akredituar si institucion i arsimit të lartë nga Bordi i Akreditimit të Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, me dy njësitë kryesore të saj: Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit, si dhe Kolegjin Profesional të Formimit Policor.

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.