AKEP propozon ulje të tarifave me shumicë të telefonisë së lëvizshme nga 1 marsi 2024
Duke nisur nga 1 marsi 2024 të bësh një thirrje telefonike brenda vendit nga një operator celuar tek një tjetër do të kushtojë më lirë.
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ( AKEP) ka propozuar ulje të tarifave me shumicë të telefonisë mobile vitin që vjen në mënyrë graduale.
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka hedhur për konsultim publik analizën e tregut e telefonisë celulare për tregjet me shumicë të terminimit të thirrjeve në rrjetet e telefonisë së lëvizshme.
Analiza e tregut pritet të sjellë një ulje të mëtejshme të tarifave të terminimit në rrjetet celulare.
Tarifat e terminimit janë tarifat që operatorët i paguajnë njëri-tjetrit për thirrjet që kryhen drejt rrjeteve respektive.
Përcaktimi i këtyre tarifave është instrumenti kryesor i rregullimit të tregjeve të komunikimeve elektronike nga autoritetet përkatëse.
Sipas analizës së kostove të përgatitura nga konsulentët e kontraktuar nga AKEP për këtë qëllim, kosto e terminimit të thirrjeve kombëtare ka rezultuar rreth 0.751 lekë për minutë, ndërsa për thirrjet hyrëse ndërkombëtare 0.762 lekë për minutë.
Tarifat aktuale të terminimit në Shqipëri janë rreth 1.11 lekë/minutë për të dyja llojet thirrjeve. Për t’i çuar tarifat në kosto, që është edhe objektivi i AKEP, tarifat e terminimit të thirrjeve duhet të ulen me rreth 32%.
Mbështetur në këtë document dhe në analizën e tregut, AKEP propozon që tarifa maksimale e terminimit të thirrjeve kombëtare në rrjetet celulare të ulet në 1.02 lekë/minutë në 1 mars 2024, në 0.89 lekë/minutë në 1 shtator 2024 dhe përfundimisht në 0.75 lekë/minutë në 1 mars 2025.
AKEP vëren se, bazuar në praktikat rregullatore në vende të BE-së, orientimi i tarifave në kosto rekomandohet të kryhet nëpërmjet një reduktimi të përshkallëzuar.
Tregu i terminimit ndërkombëtar të thirrjeve është hequr nga rregullimi që prej vitit 2011.