AKSHI: E-Albania së shpejti me version komunikimi zanor dhe vizual në gjuhën shqipe
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka marrë pjesë në konferencën e organizuar nga Akademia e Shkencave për Inteligjencën Artificiale.
Në një postim në rrjetet sociale, AKSHI informon mbi diskutimet që u zhvilluan gjatë konferencës
“Me shumë rëndësi roli i AKSHI-t, që falë mbështetjes dhe bashkëpunimit me partnerë ndërkombëtarë, po realizon një spektër të gjerë zhvillimesh duke integruar inteligjencën artificiale”, lexohet në postim.
Në postim theksohen dhe objektivat kryesorë. “Administratë më efikase dhe shërbime më të avancuara për qytetarët tanë. Asistenti Virtual e-Albania, që brenda 1 viti, iu është përgjigjur në kohë reale 1 milion pyetjeve të përdoruesve të portalit, së shpejti në versionin 2.0, me komunikim zanor dhe vizual në gjuhën shqipe. Për sektorin e arsimit, financave, integrimit, prokurimeve po shfrytëzohet fuqia e AI për të sjellë ndryshime të jashtëzakonshme cilësore. Me bazën e nevojshme ligjore për ta përdorur AI, në përputhje me rregullat e BE-së, Shqipëria është e vendosur për t’u pozicionuar si lider në rajon në fushën e digjitalizimit”, thuhet në postimin e AKSHI-it në rrjete sociale.