Aksidentet rrugore, policia e Shkodrës procedon penalisht dy drejtues mjetesh

Fillimi i këtij muaj ka sjellë disa aksidente rrugore në territorin e qarkut Shkodër. Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, për aksidentin në aksin rrugor “Velipojë-Rrjoll”, policia vendore e Shkodrës bën me dije se specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, për drejtuesin e motomjetit, shtetasin K. M., 72 vjeç.
Sektori i Policisë Rrugore referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin K. N., 49 vjeç, banues në Gjermani, pasi ditën e djeshme, duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin dhe automjeti ka dalë nga rruga. Gjithashtu, nisi procedimi penal për një 15-vjeçar, pasi me motomjetin që drejtonte ka përplasur biçikletën me të cilën po lëvizte shtetasja F. K., 64 vjeçe.