Aksidenti me 8 të vdekur, Çipa: Makina me klandestinë ishte me shpejtësi, iu shmangën policisë deri sa u gjetën të aksidentuar
Drejtuesi i policisë së Gjirokastrës, Ardian Çipa ka dhënë detaje mbi aksidentin e rëndë që ndodhi mëngjesin e sotëm në aksin Këlcyrë-Përmet, ku mbetën të vdekur 7 klandestinë dhe një person nga Shkodra i cili drejtonte edhe automjetin.
Duke folur për mediat, Çipa theksoi se automjeti i mbushur me klandestinë pasi ka pikasur patrullën e policisë është nisur në drejtim të Përmetit.
Çipa shpjegon se më pas policia është vendosur në ndjekje të automjetit por që më pas e ka humbur, duke mos arritur ta shquajë.
Në këtë mënyrë, sipas Çipës, Policia ka vijuar inspektimin duke pyetur edhe banorët e zonës nëse kishin konstatuar një automjet që po largohej me shpejtësi derisa e kanë pikasur atë në vendin e aksidentit.
“…në përpjekje e sipër për t’i bërë shenjë për të ndaluar automjeti është kthyer dhe është nisur menjëherë në drejtim të qytetit të Përmetit. Patrulla e policisë me automjetin e saj është përpjekur të marrë nën kontroll vizual automjetin të cilin e ka ndjekur deri në afërsi të vendit të ngjarjes.
Menjëherë ka njoftuar sallën operative dhe ka transmetuar gjithë informacionin për automjetin e dyshimtë i cili ishte larguar me shpejtësi të madhe në drejtim të Përmetit.
Rreth orës 4 pa 5 duke qenë se nuk është konstatuar automjeti, patrulla ka lëvizur në drejtim të Përmetit duke marrë kontakte me qytetarë të ndryshëm të cilët i ka pyetur nëse kishin parë një automjet të tillë i cili ishte larguar me shpejtësi.
Duke qenë se nuk ka marrë informacion, ka filluar inspektimin e të gjithë zonës dhe pikërisht në vendin ku ndodhemi, ku ka ndodhur edhe aksidenti, patrulla ka parë shenja të një aksidenti rrugor dhe më pas ka mundur të lokalizojë automjetin i cili ka rënë në afërsi të lumit Vjosa. Ka zbritur poshtë dhe menjëherë ka transmetuar informacionin shërbimeve të cilat më pas kanë njoftuar prokurorin, kanë njoftuar grupin hetimor për të ardhur në vendin e ngjarjes dhe për të kryer veprimet e duhura procedurale”, u shpreh Çipa për mediat.
Gjithashtu në vendngjarje ka shkuar edhe prokurori i qarkut Gjirokastër, Petrit Cano, i cili tha se vetëm drejtuesi i mjetit ishte shqiptar, ndërsa shtetasit e tërë ishin nga vendet e treta që përdorin Shqipërinë si transit për të shkuar në BE.
Prokurori tha se drejtuesi i mjetit dyshohet të jetë nga Shkodra dhe se mjetin e kishte marrë me qira po në këtë qytete.
“Jemi informuar nga policia së bashku me prokuroren kemi ardhur në vendngjarja, ku po vijon puna për identifikimin e trupave të jetë dhe po hetohet për shkaqet se pse ndodhi kjo ngjarje dhe të hetohet nëse ka përgjegjësi.
Me konstatimin e patrullës së policisë mjeti është rikthyer me shumë shpejtësi drejt Përmetit. Mjeti ka dalë jashtë kontrollit nga shpejtësia dhe ka dalë nga rruga dhe ka rënë në Lumin e Vjosës.
Vetëm drejtuesi i mjetit është shqiptar që dyshohet të jetë nga Shkodra dhe mjeti është marrë me qira në Shkodër. Viktimat e tjera janë shtetas të huaj nga vendet e treta që përdorin vendin tonë si transit për të hyrë në BE. Nuk e dimë ende se cilave shtete i përkasin, pas identifikimit do kontaktohet me ambasadat e vendeve të tyre për të dërguar trupat. Në këtë zonë ka shumë elementë që përpiqen të merren me emigrantë të paligjshëm”, tha Cano.