Aksidenti me 8 viktima në Këlcyrë, 2 të arrestuar. Të gjithë emigrantët nga Pakistani, identifikohen 3 prej tyre
Të 7 emigrantët që humbën e jetën në aksidentin tragjik në aksin Këlcyrë-Përmet janë të moshës nën 30 vjeç dhe me origjinë nga Pakistani. Policia ka mundur të identifikojë 3 prej tyre, ndërsa vijon procesi për 4 të tjerët. Në aksident humbi jetën dhe drejtuesi i mjetit 24-vjeçari Edison Bregaj nga Shkodra.
Gjithashtu policia e Gjirokastrës ka arrestuar dy të rinjtë, Agustin Gjeta dhe Ramazan Dekovi, po nga Shkodra, të cilët akuzohen për ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve.
Aksidenti tragjik ndodhi më 2 prill ku 24-vjeçari për shkak të shpejtësisë shumë të lartë ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka përfunduar në anë të lumit të Vjosës.
Dinamika e ngjarjes
Rreth orës 2:20 të mëngjesit të 2 prillit, patrulla këmbësore e stacionit të policisë Këlcyrë ka pikasur një automjet që po vinte shpejtësi shumë të madhe. Mjeti nuk i është përgjigjur sinjalit të policisë për të ndaluar, por është kthyer sërish në drejtim të Përmetit.
24-vjeçari kishte marrë mjetin tip “Benz” me qira dhe në pikën kufitare Tri Urat mori 7 emigrantët dhe u nis drejt Shkodrës, por në Këlcyrë hasi me patrullën e policisë, duke bërë që 24-vjeçari të kthehej sërish në drejtim të Përmetit. Shpejtësia e madhe e lëvizjes ka bërë që mjeti të bie nga 80 metra lartësi, ku të gjithë personat të humbasin jetën menjëherë.
Shtetasit e huaj e përdorin shpesh këtë aks rrugor, si trampolinë drejt vendeve të BE-së.