Aksidenti me vdekje në Lezhë, Gjykata e Lezhës cakton arrest shtëpie për administratorin e pallatit dhe punëtorin
Dy personat e arrestuar nga policia në lidhje me aksidentin në punë të ndodhur mesditën e së shtunës, ku humbi jetën një 50-vjeçar u lanë në masën arrest në shtëpi. Administratori i pallatit në ndërtim, Martin Kovaçi dhe punëtori i firmës, Eduard Frroku u njohën me masën e sigurisë në Gjykatën e Lezhës.
Në seancën gjyqësore të zhvilluar më dyer të mbyllura, gjyqtari Lirim Bulica pranoi kërkesën e prokurorit Françesk Ganaj, duke e cilësuar të ligjshëm arrestimin e dy personave dhe vendosi ndaj tyre masën e sigurisë “Arrest në Shtëpi”, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Arrestimi i 2 shtetasve dhe shpallja në kërkim e 34-vjeçarit, Edmond Marku, drejtues teknik i firmës së ndërtimit, u bë pasi ditën e shtunë, në Kune, Shëngjin, në një pallat në ndërtim, Preng Gjoni 50 vjeç, duke punuar, humbi jetën pasi i ra një dërrasë druri mbi kokë, më 11 maj.
Nga hetimet rezultoi se viktima ishte i siguruar dhe objekti ishte i pajisur me leje ndërtimi, por nuk ishin plotësuar rregullat dhe kushtet e sigurisë në punë.
Ky ishte aksidenti i dytë në punë i ndodhur në harkun kohor të dy ditëve në Shëngjin, pasi më 9 maj një punëtor 28-vjeçar humbi jetën, pasi ra nga kati i 9 i pallatit ku po punonte.