Aksidenti në Lezhë – Në gjendje të rëndë 6- vjeçarja që u aksidentua një ditë më parë

Vajza 6-vjeçare, që u përplas nga autobusi që transportonte nxënës shkolle një ditë më parë në Shënkoll të Lezhës vijon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Burime nga Spitali i Traumës në Tiranë, ku u dërgua me urgjencë e mitura, bëjnë me dije se ajo ka marrë fraktura të shumta në këmbë, por edhe në pjesë të tjera të trupit si pasojë e goditjes nga autobusi.6-vjeçarja po mbahet nën vëzhgim të vazhdueshëm nga bluzat e bardha të cilët e kanë futur në terapi intensive.
Aksidenti ndodhi pasditen e së mërkurës në rrugen e burgut në Shënkoll, ndërsa policia mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes, ku arrestoi drejtuesin e autobusit, shtetasin Petrit Frroku, 56 vjeç banues në Lezhë. Ndaj tij është ngritur akuza “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Ndërkohë, autobusi është bllokuar në Komisariat në cilësinë e provës materiale.
Nga veprimet paraprake hetimore bëhet me dije se e mitura i ka ndërprerë rrugën autobusit dhe pavarësisht manovrave të shoferit nuk është arritur të shmanget përplasja.