Aksidentohet autobuzi në Malin e Zi, humbin jetën tre pasagjerë, katër të tjerë në gjendje të rëndë
Të paktën tre persona humbën jetën, katër të tjerë janë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe mbi 20 mbetën të plagosur, pasi një autobus pasagjerësh doli nga rruga në aksin Cetinje-Budva në qytetin e Obzovicës në Mal të Zi.
Në vendin e aksidentit shkuan disa autoambulanca, ekipe të zjarrfikësve, përfaqësues të prokurorisë, dhe efektivë të policisë, të cilët thanë se autobusi kishte rënë 30 metra në greminë, çka kishte vështirësuar punën e ekipeve të shpëtimit për nxjerrjen pasagjerëve nga autobusi.
Për shkak të operacionit të shpëtimit rruga që lidh dy qytetet u bllokua për 4 orë, ndërkohë që tashmë trafiku është kthyer në normalitet.
Presidenti malazez Jakova Milatoviç përmes një shkrimi në rrjetin social X tha se ishte habitur nga aksidenti.
“Mendimet tona janë me familjet e viktimave dhe të plagosurve”, – shkroi ai. Shkaku i aksidentit ende nuk është bërë i ditur, ndërsa prokuroria në Cetinje ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes.