Aksion i policisë në Shkodër – Në fokus automjetet me xhama të zinj dhe personat e dyshuar me rekorde kriminale
Drejtori i Policisë së Shkodrës, Fatmir Lleshaj, i emëruar vetëm pak ditë më pare, e ka nisur punën me aksione blic, duke udhëzuar forcat e policisë së rendit dhe rrugore, të ushtrojnë kontrolle për mjetet që qarkullojnë me xhama të zinj, pa dokumentacion, por edhe ndaj personave që ka dyshime që qarkullojnë më armë zjarri në makinë dhe ata me rekorde kriminale.
Aksioni u zhvillua në rrugët kryesore të qytetit, ku u ndaluan për kontroll të gjitha automjetet e dyshimta. Disa u bllokuan e për disa drejtues u morën masa administrative gjobë.
Ndërkohë, një numër i lartë i personave të dyshimtë janë kontrolluar fizikisht, u janë kontrolluar mjetet e tyre dhe dokumentacioni.
Sipas burimeve, forcat e policisë edhe në ditët në vijim do të ndërmarrin aksione të tilla për të mbajtur nën kontroll situatën.
Makinat me xhama të zinj janë konsideruar një problem i vazhdueshëm për policinë e kryeqendrës së veriut.
Përveçse shkelje e ligjit, veshja e xhamave konsiderohet edhe si një mënyrë për të fshehur elementë të rrezikshëm kriminalë, që mund të kalojnë pa u parë nga dëshmitarët dhe informatorët e policisë.