Aksion kundër kultivimit të kanabisit në Mirditë e Kurbin, 4 persona në pranga, mes tyre edhe një efektiv
Katër persona kanë rënë në pranga dhe 3 të tjerë janë shpallur në kërkim, pas një operacion kundër kultivimit të kanabisit në Rrëshen dhe Kurbin në 24 orët e fundit. Policia njofton se u goditën 3 raste të kultivimit të kanabisit, teksa mes të arrestuarve është edhe një efektiv në Komisariatin e Kurbinit, K. D., 33 vjeç, i cili dyshohet se informonte autorët e për lëvizjet e Policisë.
Në Mirditë u arrestuan E. K., 41 vjeç, banues në fshatin Zheje, ndërsa u shpallën në kërkim bashkëpunëtorët e tij, A. Z. alias I. L. alias I. L., 39 vjeç, banues në fshatin Sanxhak dhe G. L., 33 vjeç, banues në fshatin Vinjollë.
Nga hetimet dyshohet se ata kanë kultivuar 1900 bimë narkotike dhe 650 fidanë në kubikë, në afërsi të përroit të Karmës, në fshatin Përshqesh.
Po ashtu kanë nisur hetimet për shpërdorim detyre edhe kryetarin e fshatit Përqesh, P. Ll., 62 vjeç, dhe specialistin e pyjeve në fshatin Orosh, Gj. L., 58 vjeç.
Në Kurbin, Policia gjeti 3 parcela ku ishin kultivuar 151 bimë kanabis. Si rezultat i hetimeve u identifikuan organizatorët e këtij rasti kultivimi, shtetasit S. B., 46 vjeç dhe A. B., 35 vjeç, vëllezër, të dy banues në Kurbin. Në vijim u bë e mundur kapja dhe arrestimi i 46-vjeçarit, ndërsa vijon puna për kapjen e shtetasit A. B..
Gjithashtu kanë nisur hetimet për shpërdorim detyre për kryetarin e fshatit Shëmri, shtetasin B. K., 52 vjeç.
Më tej, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, në bazë të informacioneve nga inteligjenca policore, në Milot, gjetën disa bimë të tjera kanabis si dhe vunë në pranga autorin dyshuar, shtetasin A. K., 24 vjeç.