Aksioni me 43 urdhërarreste, Balla: Goditëm kokat e krimit, aktiv në Shqipëri dhe Europë
Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka përgëzuar nga Spanja, punën e bërë nga SPAK në lidhje me operacionet e ndërmarra nga Policia e Shtetit në disa qytete të Shqipërisë për ekzekutimin e vendimeve të GJKKO-së.
Balla deklaroi se urdhërarestet e lëshuara lidhen me personazhe të krimit që janë aktiv jo vetëm në Shqipëri por edhe në disa vende europiane, përfshi edhe Spanjën.
“Përgëzoj SPAK, dhe prokurorët që kanë drejtuar hetimin. Falenderoj policinë e shtetit, është një operacion që ndërlidhet me personazhe të krimit në Shqipëri që janë aktiv jo vetëm në Shqipëri por edhe në disa vende europiane përfshirë edhe Spanjën. Operacione te tilla të vijojnë të konsolidohet për ti dhënë fund pandëshkueshmërisë. Kjo është një përgjigje për ata që thonë po kokat po kokat pse nuk goditen”, tha Balla.
Policia e Shtetit ndërmori aksion masiv në disa qytete të vendit. 43 urdhraarreste u lëshuan për disa personazhe të njohur të krimit në vend, ndër të cilët vëllezërit Avdylaj, vëllezërit Bami; vëllezërit e klanit Duka, Erlis dhe Leonard Duka; Fatmir Hyseni alias Docja, etj.
Sipas burimeve, mësohet se një ndër banesat e kontrolluara është ajo e Albert Zajes në Larushk, i dënuar me 19 vite burg nga Apeli i GJKKO-së për vrasjen e Shkëlzen Kastratit.
Po ashtu, burimet bënë me dije se kontrolle janë ushtruar edhe në banesat e Valter e Durim Bamit, të cilët ndodhen në Dubai, si edhe në banesat e disa të fortëve të Niklës, të përfolur në botën e krimit.
Banesa e vëllezërve Duka në zonën e Freskut në Tiranë, gjithashtu ka qenë pjesë e kontrolleve nga Policia. RTSH mëson nga burimet se operacionet e sotme, të cilët zbritën në terren RENEA-n, FNSH-në, Policinë e Shtetit, janë vijim i operacionit “Metamorfoza”.