Akuzat e Berishës për gjyqtaren Irena Gjoka, KLGJ: Sulmet synojnë ndikimin e vendimeve të gjyqësorit

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka reaguar ndaj akuzave të shpeshta të Sali Berishës drejtuar gjyqtares së GJKKO Irena Gjoka, e cila i caktoi masën e sigurisë “arrest shtëpie”. KLGJ thotë se këto sulme synojnë ndikimin e vendimeve të pavarur të gjyqësorit.

KLGJ bën thirrje që këto akuza të ndalen pasi krijojnë një imazh të gabuar të gjyqtarëve dhe ndikojnë negativisht në besimin e publikut.

“Këshilli i Lartë Gjyqësor, si organ i ngarkuar nga Kushtetuta për të garantuar pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor, ka ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit sa i përket deklaratave publike në media nga persona publik dhe mbrojtësve të tyre në procesin penal, të cilat në përmbajtjen e tyre cenojnë rëndë figurën dhe dinjitetin e znj. Irena Gjoka, me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Këshilli vëren me keqardhje se këto deklarime të përsëritura publike në media përbëjnë sulm ndaj gjyqtarëve për shkak të detyrës, duke synuar kompromentimin e pavarësisë së gjyqësorit, nëpërmjet përndjekjes mediatike. Njëkohësisht, Këshilli i Lartë Gjyqësor vlerëson se këto qëndrime jo vetëm që ndikojnë negativisht në besimin e publikut ndaj pushtetit gjyqësor por edhe krijojnë imazhin e gabuar mbi veprimtarinë e gjyqtarëve gjatë ushtrimit të detyrës me synimin për t’i detyruar ata të japin vendime në kundërshtim me parimet e pavarësisë dhe paanësisë”, shkruan KLGJ.

KLGJ shprehet se vendimet e gjyqësorit nuk duhet të ndikohen nga jashtë dhe se kundërshtimi i tyre bëhet ne një gjykatë më të lartë.

“Gjithashtu, Këshilli i Lartë Gjyqësor thekson se avokatët në bazë të ligjit dhe kodit etik profesional, duhet të sillen me respekt, ndershmëri dhe integritet kundrejt gjykatës, në funksion të përfaqësimit të interesave të klientëve.

Këshilli i Lartë Gjyqësor fton të gjithë aktorët të respektojnë gjyqtarët dhe impenjimin e tyre në forcimin e shtetit të së drejtës, pasi dhënia e drejtësisë duhet të jetë e çliruar nga çdo lloj ndikimi apo ndërhyrjeje nga subjektet publike apo private.

Në respektim të dispozitave ligjore në fuqi, sjellim në vëmendje se mjeti ligjor për të kundërshtuar një vendim gjyqësor është ankimi në një gjykatë më të lartë”, thuhet në deklaratën e KLGJ.

Sali Berisha ka hedhur akuza të shumta në drejtim të gjyqtares Irena Gjoka ku dhe kërkon largimin e saj nga trupi gjykues i dosjes për aferën Partizani. Së fundi, Berisha ka akuzuar gjyqtaren se ka ndërruar emrin nga Shpata në Gjoka dhe se është dëbuar nga Greqia për 12 vite nën akuzën e falsifikimit të dokumenteve.

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.