Akuzat e opozitës për Amnistinë Penale, Manja: Përfitojnë vetëm 3 ish-policë
Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka deklaruar se pr.ligji për Amnistina Penale është i cunguar, pasi 95% e veprave penale të Kodit Penal janë të përjashtuara nga kjo amnisti. Ai u shpreh se Amnistia Penale ka për qëllim vetëm humanizmin dhe qëllimin e dënimit për rehabilitimin dhe riintegrimin në shoqëri të të dënuarve.
“Amnisria penale një nga parimet kryesor që ka është humanizmi dhe qëllimin e dënimit që është rehabilitimi dhe riintegrimi në shoqëri. Bëhet fjalë për amnisti për një kategori të dënuarish që Kanë vuajtur mbi 2/3 e dënimit të dhënë nga drejtësia. përmes një akti amnistie presin të shkojmë pranë familjeve. Kjo që kemi paraqitur më vjen keq se askush s’ka marrë mundimin të lexojë ligjin, por hodhi dikush një gur në zall dhe u bënë bashkë të “shpëtojnë Republikën” nga një ligj amnistie që kap vetëm 5% të veprave që ka Kodi Penal. Është amnisti e cunguar, 95% e veprave që ka Kodi Penal janë të përjashtuara nga kjo amnisti.
Në thelb kjo amnisti ka këto qëllime dhe askush prej nesh nuk ka për qëllim që përmes këtij ligji amnistie të amnistojë asnjë person të dënuar nga GJKKO”, u shpreh Manja teksa theksoi se nëse ky amendament do të miratohet kështu siç është, do përfitojnë nga një muaj dhe tre muaj, 3 ish-punonjës policie të dënuar nga GJKKO në Morinë të Kukësit.
Sa i përket akuzave të opozitës se Amnistia Penale po përdoret për lirimin e zyrtarëve të korruptuar, Manja u shpreh se ligji prek të gjitha kategoritë e të dënuarve dhe se do jetë opozita ajo e cila do kërkojë që ky ligj të futet në rend dite në Parlament për t’a votuar.
“Do bashkëpunojmë me çdo deputet të Kuvendit që tashmë kanë lexuar ligjin, kanë reflektuar mbi këtë proces. Ky ligj prek të gjithë kategoritë e të dënuarve. S’mund të ndahen të dënuarit në tanët dhe të tyret.
Është në nderin e secilit deputet që 600-700 të dënuar të bashkohen me familjet e tyre”, tha ai.