Akuzat e PD se përfitoi pronë në Vuno, reagon Rama: Po hidhet baltë mbi familjen time
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas akuzave të artikuluara nga Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Ivi Kaso, lidhur me çështjen e pronave në fshatin Vuno të Bashkisë së Himarës.
Ndërsa Kaso pretendonte se toka e kaluar në pronësi të familjes Koleka, të afërmve të kryeministrit, me anë të ndryshimit që Gjykata e Vlorës i ka bërë vendimit të Agjencisë së Trajtimit të Pronave, Rama ka hedhur poshtë këto akuza duke paralajmëruar ata që i cilësoi si “skllevërit e ballkonit Non Grata” se do jenë pjesë e padisë së radhës në gjyq.
“Përpjekja e dëshpëruar për të bërë një paralele të pamundur, mes pushtetit të përdorur për veten e për familjen dhe pushtetit të vënë në dispozicion të të gjithëve, ku edhe vetja, familjarët apo fisi yt trajtohen njësoj si të gjithë, është një përpjekje që e përshëndes me kënaqësi, sepse aq sa ç’është e neveritshme si gjithnjë kur hidhet baltë mbi familjen time për të luftuar në fakt me mua, aq është këtë herë edhe e mirëseardhur për të bërë dallimin si nata me ditën mes agresorëve të familjes time dhe meje si kundërshtar i papërkulshëm i tyre!
Të gjitha faktet që e ekspozojnë këtë përpjekje, si një lëtyrë të nxjerrë nga kanalet e ujrave të zeza mediatike në Tiranë e në Athinë, e tashmë të propaganduar nga skllevërit e ballkonit Non Grata, do të jenë pjesë e padisë së radhës në gjyq për këta të paudhë që në fakt, po i paguajnë me një vetëdiskreditim e vetëturpërim shembullor në sytë e shqiptarëve paudhësitë e panumërta, që i kanë bërë këtij vendi e këtij populli kur kishin edhe gurin edhe arrën, në duart e tyre të mbrapshta e të pista”, u shpreh Rama, ndërsa thekson se duzina e trashëgimtarëve të pronave të stërgjyshit të tij në Vuno të Himarës, ende nuk ka marrë certifikatat e pronësisë.
Sepse sikurse nënvizon kreu i qeverisë “ndryshe nga kundërshtarët e mi pa din e pa iman, nuk jam i asaj kategorie përfaqësuesish të popullit, që tjetër thonë për njerëzit e tjetër bëj për vete”
“Por për publikun ka vetëm një fakt. Sot e gjithë ditën, duzina e trashëgimtarëve të pronave të stërgjyshit tonë në Vuno të Himarës, njësoj si plot trashëgimtarë të tjerë të kësaj zone – ku sapo isha së bashku me kryebashkiakun tonë të së dielës së ardhshme, Vangjel Tavon – nuk i ka marrë ende çertifikatat e pronësisë. Sepse unë, ndryshe nga kundërshtarët e mi pa din e pa iman, nuk jam i asaj kategorie përfaqësuesish të popullit, që tjetër thonë për njerëzit e tjetër bëj për vete.
Kështu që faleminderit që e hapën këtë gropë në publik për mua dhe bujrum le të hidhen vetë brenda, si zakonisht, por këtë herë me të mirën e madhe që populli do ta shohë dallimin e madh, si në një pasqyrë ku vetëm qorrat me qimen e syrit në tru mund të mbeten pa e kuptuar”, deklaroi kryeministri.
Pak më parë PD denoncoi përmes Kasos një rast që lidhet me çështje pronash në fshatin Vuno.
Kaso deklaroi se Gjykata e Vlorës ka ndryshuar vendimin e Agjencisë së Trajtimit të Pronave për një sipërfaqe prej 22.4 hektarë tokë, tokë e cila sipas tij, i ka kaluar trashëgimtarëve të familjes Koleka, të afërm të kryeministrit Edi Rama.