Akuzat e PD-së se u kërcënuan nga policia në Kuvend, Hoxha: Nuk ka pasur tentativë të nxjerrjes së armës
Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha theksoi nga Shkodra se efektivët që kanë qenë pjesë e planit të masave për protestën e opozitës që u zhvendos para Kuvendit nuk kanë pasur armë zjarri me vetë dhe se nuk ka pasur asnjë lloj kërcënimi me armë të deputetëve të PD-së.
Hoxha tha se ndjen keqardhje për formën që ka zgjedhur opozita për të shkaktuar kaos dhe dhunë. Ai dënoi dhunën e përdorur ndaj efektivëve dhe gardës, ku sipas tij ishin aty vetëm për të kryer detyrën.
“Keqardhje për deputetët e opozitës të cilët ushtruan dhunë ndaj punonjësve të policisë dhe të gardës që ishin atje për të kryer detyrën. E drejta e tubimit do të garantohet gjithmonë nga polica kurse e drejta e dhunës dhe shkatërrimit nuk do të tolerohen. Në deklaratën e policisë të dhënë dje është shprehur qartë se nuk ka pasur asnjë tentativë të nxjerrjes së armës nga polica. Forcat e policisë që kanë qenë pjesë e planit të masave për tubimin nuk kanë pasur armë. Sulmi i deputetëve ndaj policisë dhe gardës në prag të anëtarësimit në BE nuk është i pranueshëm sepse forcat e policë dhe garda është atje për të mbrojtur institucionet kushtetuese. Forcat e Policisë së Shtetit që kanë qenë aty për të bërë detyrën”, tha Hoxha.
Një ditë më parë pas kaosit në Kuvend, kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi ka hedhur akuza ndaj Policisë së Shtetit se efektivët e saj kanë kërcënuar me armë dy deputetëve të opozitës, Luan Baçit dhe Bledjon Nallbatit. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Policisë së Shteti duke përgënjeshtruar lajmin dhe thënë se efektivët që garantojnë sigurinë gjatë tubimeve nuk kanë qenë të pajisur me armë por vetëm me shkopinj gome.