Akuzat për koncesionin e Sterilizimit, ish-ministri Beqaj del nga SPAK pas rreth 9 orësh: Kërkova hetime shtesë
Ish-ministri Ilir Beqaj ka dalë nga ambientet e SPAK pas rreth 9 orësh. Beqaj u paraqit në Prokurorinë e Posaçme mëngjesin e kësaj të marte (12 dhjetor) për t’u marrë në pyetje si person në dijeni në lidhje me koncesionin e Sterilizimit.
Në një deklaratë të shkurtër për mediat, Beqaj tha se ai ka kërkuar nga SPAK edhe disa veprime të tjera hetimore shtesë.
“Kryesisht në ato gjëra që jam pyetur edhe më parë në korrik 2022 në cilësinë e personit që kam dijeni për ngjarjen. Bashkë me avokatin kërkuam që të kryhen edhe disa veprime të tjera hetimor shtesë. Në dosje ka disa referenca të akteve të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Janë audituar edhe veprimet e mia, por nga KLSH gjatë kohës së auditimit nuk kam qenë ministër dhe nuk jam thirrur asnjëherë nga audituesit”, tha Beqaj.
Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për ish-ministrin, ku Beqaj do duhet të paraqitet para policisë gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit, një herë në javë, ditë të premte, ora 15:30.
SPAK akuzon ish-ministrin Beqaj, për shpërdorim detyre për koncesionin e sterilizimit. Prokuroria e Posaçme bëri me dije se ish-ministri ka konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës në lidhje me procedurat e ndjekura për koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale me vlerë 100 milionë euro. Kështu, sipas hetimeve të zhvilluara deri në këtë fazë, ish-ministri akuzohet për shkelje të barazisë në tendera apo ankande publike.