Akuzat për provimin e Magjistraturës, Rakipi: Defekt teknik i pajisjes, asnjë lidhje me elementin njerëzor
Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi, ka reaguar lidhur me akuzat se lista e fituesve të provimit të Magjistraturës së fazës së parë është ndryshuar sërish pasi ishte bërë zyrtare. Në një deklaratë për mediat, Rakipi shprehet se ndryshimi i rezultateve erdhi për shkak të një gabimi teknik të pajisjes scantron që korrigjon testet dhe se nuk ka të bëjë me elementin njerëzor. Sipas tij, pajisja nuk e ka lexuar testin me 100 pikë, por me 96 duke nxjerrë më pas një listë fituesish jo të saktë.
“Pajisja testin nuk e ka lexuar, gabimisht, me 100 pikë, por me 96. Dhe pasi është printuar rezultati përfundimtar është konstatuar ky defekt. Nisur nga renditja e pikavarazhit u konstatuan dy elementë të rëndësishëm, fituesit ishin në një numër shumë herë më të vogël se çdo herë tjetër, numri 79 që në total përbën rreth 19% të kandidatëve, një shifër jashtëzakonisht të ulët dhe që solli shqetësim te ne. Elementi dytë ishte pikët mjaft të ulëta të fundit të listës. Kishim kandidatë që kishin marrë 2 pikë, apo 5 pikë, ngjarje e pa ndodhur ndonjëherë. Nisur nga këto na u desh që listën ta shohim me shumë vëmendje dhe u konstatua se llogaritja është bërë me 96 pikë totali dhe jo 100”, u shpreh ai.
Pas kësaj, Rakipi sqaron se testet janë verifikuar me një pajisje të dytë scantron, pas leximit të së cilës lista e fituesve u ndryshua nga 79 në 121.
“E konstatuam që pasditen e provimit dhe urdhërova të bëhen verifikimet e nevojshëm në mënyrë që të dalim para studentëve me një opinion të sigurt lidhur me atë që ka ndodhur dhe si do e rregullojmë problemin. Më pas kemi siguruar një pajisje tjetër e cila bëri të mundur të lexojë çelësin me 100 pikë. Meqenëse leximi dytë solli rezultat përafërsisht të njëjtë më të parin, por me shifra më të larta në maksimumin e tij, ndryshoi ehe numri i fituesve, nga 79 shkoi në 121 persona që për shkak të rivlerësimit apo verifikimit përmes pajisjes së dytë, dolën fitues”, theksoi ai.
Edhe pas këtij verifikimi, Rakipi deklaron se kishte ankimime nga kandidatët dhe për këtë arsye u krye një shqyrtim i të gjithë përgjigjeve të studentëve. Pas kësaj, listës së fituesve iu shtuan edhe 10 kandidatë të tjerë.
“Ndërkohë që kandidatë jo të pakët kanë paraqitur kërkesat e tyre në raport me atë që ndodhi, për të verifikuar nëse ata janë apo jo fitues, nëse leximi i përgjigjes është bërë apo jo i saktë. Ky ishte elementi i dytë që na shtyu që të kontrollojmë çdo ankimim. Kemi marrë, përveç ankimeve, në shqyrtim kryesisht të gjithë përgjigjet e studentëve, pavarësisht nëse kishin bërë apo ankim dhe në përfundim të rishikimit tërësor nga rezultoi se fitues janë edhe 10 të tjerë. Lista përfundimtare e fituesve u shpall dje me 131 fitues që po zhvillojnë sot fazën e dytë të provimit. Defekti është thjesht i karakterit teknik, nuk ka asnjë lidhje me elementin njerëzor, konkluzion që ka dalë nga testet e shumta që kemi bërë”, u shpreh Rakipi.
Provimi i Magjistraturës u zhvillua më 22 prill, ku morën pjesë 442 kandidatë. Pas korrigjimit të testeve, fitues rezultuan 79 kandidatë. Por 24 orë më vonë, Shkolla e Magjistraturës publikoi një tjetër listë ku u shtua numri i fituesve në 121. Por sërish listës iu shtuan më pas edhe 10 kandidatë, duke e çuar numrin e fituesve në 131.