Akuzohet për korrupsion, shtyhet seanca ndaj dhëndrit të Berishës. Malltezi njihet në orën 18:00 me masën e sigurisë
Seanca ndaj dhëndrit të Sali Berishës, Jamarbër Malltezi është shtyrë për në orën 18:00, kur ai do të njihet me masën e sigurisë siç i është komunikuar kur u arrestua në aeroportin e Rinasit ditën e shtunë.
Malltezi pritej të dilte para Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit NË orën 13:30 të ditës së sotme, por seanca është shtyrë për këtë pasdite pasi pala mbrojtëse kërkoi kohë për shqyrtimin e dosjes hetimore.
Dhëndri i ish-kryeministrit Berisha i cili akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash në rastin e privatizimit të ish-kompleksit të klubit sportiv “Partizani”.
Ndërkaq, më herët në Gjykatën e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit të shkallës së parë u shfaq edhe bashkëpunëtori i Malltezit, ndërtuesi Fatmir Bektashi, për të cilin është vendosur masa detyrim paraqitje, e njëjta masë siç është vendosur për ish-kryeministrin Berisha.
Ky i fundi akuzohet për korrupsion pasiv pasi sipas dosjes hetimore të SPAK, ish-kryeministri Berisha ka favorizuar dhëndrin e tij për të bërë të mundur privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”. Nga ana e tij, Berisha nuk e njeh vendimin duke e quajtur antikushtues dhe për këtë arsye nuk u paraqit as në gjykatë çka detyroi që oficerët e policisë gjyqësore të mbërrijnë në shtëpinë e tij pasdite e sotme për t’i komunikuar sërish masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.