Albin Kurti sot në Tiranë, njofton për takim me Kancelarin gjerman Scholz

9837a1b4714041b3a15ae5425d27967e
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbërritur sot në Tiranë.
Sikurse njofton zyra e kryeministrit, ai pritet të takohet me kancelarin gjerman Olaf Sholc (o. Scholz) gjatë punimeve të Samitit të Procesit të Berlinit.
Pak ditë më parë, zëdhënësi i qeverisë gjermane, Shtefen Hebshtrajt (o. Steffen Hebestreit), konfirmoi se në samit mund të diskutohet edhe për agresionin e Serbisë ndaj Kosovës.
Sipas tij, Sholc do të kërkojë kontakt edhe me përfaqësues të Kosovës dhe Serbisë, siç e bëri në Granadë, të Spanjës, në takimin e Komunitetit Politik Evropian.
“Bisedimet do të mbulojnë çështjet e bashkëpunimit rajonal, integrimin e mëtejshëm të Ballkanit Perëndimor në tregun e brendshëm të BE-së dhe ndryshimin ekologjik dhe digjital në Ballkan,” tha Hebshtrajt.
Procesi i Berlinit është një iniciativë që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe dhënien e ndihmës për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Ai u prezantua më 28 gusht 2014 nga kancelarja gjermane Angela Merkel.