Aleati i Trump, Xhim Xhordan dështon të zgjidhet kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve
Republikani Xhim Jordan nuk ka arritur të zgjidhet në krye të dhomës së përfaqësuesve në raundin e parë të votimit që u mbajt atje , pasi pavarësisht lobimit, nuk arriti të merrte të gjitha votat e ligjvënësve të partisë së tij, 20 prej të cilëve refuzuan të votonin pro kongresmenit të djathë nga Ohajo. Jordan fitoi 200 vota në votimin e parë, por që të marrë postin aleatit të Trump i duhen 217 vota.
Një bllok republikanësh nga Nju Jorku që votuan kundër Jordan cituan si arsye kundërshtinë e tij për përfitimet që marrin të mbijetuarit e sulmeve të 11 shtatorit. Ndërkohë kandidati demokrat Hakeem Jeffries nga Nju Jorkut mori 212 vota, por dhoma e përfaqësuesve dominohet nga republikanët, dhe kjo sasi votash nuk mjaftoi që ai të zgjidhej.
Joradan ndërkohë u zotua se do të vijonte të punonte dhe shprehu besimin se në fund do të dilte fitues.
“Po shënojmë përparim. Ndihem mirë për këtë. Do të vijojmë punën”, u shpreh ai për gazetarët. Jordan ndërkohë ka një histori përplasjesh me anëtarët e partisë së tij. Ai është bashkëthemelues i grupit ultra konservator Hous Freedom Caucus, që dikur u cilësuan si terroristë legjislativë nga ish kreu republikan I dhomës së ulët të kongresit John Boehner.
Dhoma e ulët e kongresit ka ngelur pa kryetar pasi Kevin Mekarthi u shkarkua nga detyra pas një rebelimi të republikanëve. Pa një kryetar, kjo dhomë nuk mund të kalojë ndonjë projektligj apo të miratojë kërkesat e shtëpisë së bardhë për ndihma emergjente, ku përfshihen edhe ato që mund t’i dërgohen Izraelit që po lufton me Hamas.