Aleksandra Pano, vajza që ka lexuar 200 libra, autore e dy librave në moshën 15-vjeçare
Aleksandra Pano ka lexuar rreth 200 libra dhe në moshën 15-vjeçare është autore e dy librave.
Ajo foli për emisionin “Mirëmëngjesi Shqipëri” për projektet e saj, dëshirat dhe për rëndësinë e librit për të gjithë moshatarët.
“Nisa të shkruaj për njerëzit e mi të dashur, për shokët dhe shoqet dhe më pas shkruaja poezi, kur bëra librin tim të parë dhe mendova se është pasioni im i vërtet.
Pasionin për të lexuar libra mua ma ka ushqyer mami dhe e ka nisur duke më lexuar që në moshën 4 vjeçare më pas më lexonte romane deri në moshën që mësova të lexoja vet. Libri i parë që kam lexuar ma ka shtuar edhe më shumë dëshirën për librin. Kam lexuar shumë libra, por ai që më ka pëlqyer më shume ka qenë “Ditari i pambaruar” dhe ja këshilloj të gjithë adoleshenteve për ta lexuar.
Vështirësia më e madhe që kam pasur për të shkruar libra ishte se nuk dija çfarë të shtoja dhe të hiqja apo gjetja e një emri është më i vështirë se vetë zhvillmi i ngjarjes, pjesa e botimit nuk i kam pasur vështirësi unë por prindërit. Sapo kam përfunduar një roman të tretë, këtë herë ngjarja nuk zhvillohet në Shqipëri por në Japoni, kjo është e vetmja gjë që mund të zbuloj”, u shpreh autorja e re.
E pyetur nga gazetarja se cili është mesazhi që Aleksandra do të kishte për moshatarët e saj, ajo u shpreh se leximi është shume i rëndësishëm.
“Leximi i librave është i rëndësishëm por edhe fëmijëve që ju pëlqen teknologjia nuk është diçka e keqe por problemi është si e përdorin teknologjinë. Leximi jo vetëm të informon në shumë fusha të ndryshme por të bën edhe njeri më të mirë. Karriera ime si shkrimtare nuk do të jetë gjeja e vetme që dua të fokusohem”, tha Aleksandra.