Alibeaj me reporteren Santos: Mazhoranca nuk dëshiron ta çojë përpara Reformën Zgjedhore
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, takon reporteren për Shqipërinë në PE, Isabel Santos: Ndamë shqetësimin për zbehjen e përpjekjeve të Shqipërisë në procesin e reformave të nevojshme për Integrimin Europian, veçanërisht reforma zgjedhore
Në një reagim në rrjetet sociale, Alibeaj shkrun se, “me znj. Santos ndamë shqetësimin për zbehjen e përpjekjeve të Shqipërisë në procesin e reformave të nevojshme për Integrimin Europian, duke u ndalur veçanërisht për Reformën Zgjedhore, e cila do të duhet të jetë gjithëpërfshirëse, transparente, dhe të adresojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe rekomandimet e ODHIR.
Në cilësinë e bashkëkryetarit të Komisionit të Reformës Zgjedhore, vazhdon deputeti demokrat, e njoha znj. Santos mbi ecurinë, garancitë, transparencën, gjithëpërfshirjen e çdo fluksi politik brenda opozitës në mirë përcaktimin e marrjes së vendimeve që ofronte mekanizmi i Komisionit, i kërkuar që para dy vitesh nga Partia Demokratike.
Gjithashtu Sekretari i Përgjithshëm i PD-së e ka informuar reporteren dhe mbi propozimet që ka bërë subjekti i tij politik në komisionin për Reformën Zgjedhore.
“Po ashtu i shpreha, qëndrimet dhe propozimet konkrete të Partisë Demokratike të prezantuara që në Dhjetor 2022 e më pas në Nëntor 2023, nën formën e një projektligji të depozituar në Kuvend, ku adresohen të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR mbi shitblerjen e votës, keqpërdorimit të mjeteve dhe burimeve publike në zgjedhje, etj., të shprehura në katër shtylla: Votë për Diasporën; Lista të Hapura; Shqipëria një Zonë Zgjedhore; Votim dhe Numërim Elektronik” shkruan ai.
Por gjatë takimit z. Alibeaj ka ngritur shqetësimin për mungesën e vullnetit politik nga ana e mazhorancës socialiste për të çuar përpara Reformën Zgjedhore në frymën e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Në fund, e ka siguruar Znj. Santos, për qëndrimet e vendosur dhe të pandryshueshëm të PD-së mbi aleancën parimore me SHBA, BE dhe Mbretërinë e Bashkuar, për mbështetjen e pakushtëzuar ndaj SPAK.