Aliu: Ja kur u krijua fizionomia e plotë e Radio Tiranës. Shanto: Do doja të bëja emisionin e fundit dhe pastaj të vdisja
Në 85-vjetorin e Radio Tiranës, një prej emrave më të njohur që për shumë vite ka qenë pranë RTSH, jo vetëm si gazetare, por dhe si shefe e redaksisë së fëmijëve dhe rinisë në radio, Liljana Shanto, e ftuar në emisionin “Jetë Shqiptare”, ka deklaruar se puna e saj në Radio Tirana ka qenë një prej eksperiencave më të mëdha që ka patur në jetë.
Ajo deklaroi se “nuk ka punuar asnjë ditë të jetës”, pasi ka bërë çdo ditë punën që ka dashur gjithmonë.
“Kemi kaluar shumë kohë në radio. Para 4 vitesh e lash punën. Kisha vetëm 1 orë në javë dhe isha e detyruar ta lija dhe kam dhembje.
Ishte shumë bukur të punojë në radio. gati 93% e njerëzve në botë bëjnë punën që nuk dua. Mua më qëlloi të bëj punën që dua.
Do doja të bëja emisionin e fundit dhe pastaj të vdisja. Përjetonim emocione, kisha dhe përplasje me të ftuarit. Kjo të krijonte siklet. Ishte përgjegjësi e madhe”, u shpreh Shanto.
Ndërsa një prej folësve më të njohur në vend, regjisor Xhelil Aliu u shpreh se datën 28 nëntor e pret me shumë kënaqësi, pasi sikurse tha ai, “është dita kur kthehet në shtëpi”, duke iu referuar Radio Tiranës.
“Kur vjen kjo datë, e pres me kënaqësi. Është data që iki në shtëpinë time, sepse radioja u bë shtëpia ime.
Kur erdhëm ne, Radioja ecte me këmbët e veta. Fillimisht pati vështirësi, nuk kishte dhe njerëz. Por si rezultat i njerëzve pasionantë, u krijua fizionomia e radios. Deri në ’61 kishte ecur me 8 orë transmetim gjithsej.
Erdhi një drejtor I cili mblodhi mendjet më të ndritura të kohës, u konsultua me ta dhe krijoi të nxirrte konkluzione ç’të bëhej me radio Tiranën, e cila pas pak kohe kaloi në 19 orë transmetim. U krijua fizionomia e plotë e Radio Tiranës”, u shpreh Aliu.