Ambasada amerikane në Bagdad sulmohet me raketa
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Bagdad është sulmuar mëngjesin e së premtes, por fatmirësisht nuk kanë shkaktuar viktima, ka njoftuar një zëdhënës i ambasadës.
Sulmi besohet të jetë kryer nga militantët e lidhur me Iranin në Irak, ka thënë zëdhënësi. Ky ishte sulmi i parë i raportuar me raketa kundër ambasadës, që kur një rrjet grupesh militante të myslimanëve shiitë, të lidhura me Iranin, nisën sulme kundër forcave amerikane në baza ushtarake në Irak dhe në Sirinë fqinje, në mesin e tetorit.
“Ne i bëjmë përsëri thirrje Qeverisë së Irakut, siç kemi bërë në disa raste, që të bëjë gjithçka që mundet për të mbrojtur personelin dhe objektet e partnerëve diplomatikë dhe të koalicionit”, ka thënë zëdhënësi i ambasadës.
Përveç stafit diplomatik në Irak, Shtetet e Bashkuara kanë edhe rreth 2.500 trupa në vend, në një mision që ato thonë se ka për synim të këshillojnë dhe t’u ndihmojnë forcave vendëse, që po përpiqen të parandalojnë një ringjallje të grupit Shteti Islamik, i cili më 2014 mori nën kontroll pjesë të mëdha të Irakut dhe të Sirisë, para se të mposhtej.