Ambasada amerikane: SHBA krah institucioneve të drejtësisë së Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit
Ambasada amerikane në Tiranë ka shprehur krenarinë për mbështetjen që i jep angazhimit të SPAK për integritet dhe drejtësi. Pas pjesëmarrjes së prokurorëve së SPAK në seminarin e organizuar nga Zyra e SHBA për Zhvillimin, Ndihmën dhe Trajnimin e Prokurorisë Jashtë Vendit, ambasada shprehu mbështetjen e SHBA-ve ndaj institucioneve të drejtësisë së Shqipërisë në luftën e tyre kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe pandëshkueshmërisë.
“Ekipi i SPAK diskutoi arritjet dhe strategjitë për të përmirësuar punën në ekip, për të bashkërenduar përpjekjet e tyre dhe për të rritur rezultatet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ne jemi krenarë që mbështesim angazhimin e SPAK për integritet dhe drejtësi.
Shtetet e Bashkuara qëndrojnë krah institucioneve të drejtësisë së Shqipërisë në luftën e tyre kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe pandëshkueshmërisë, duke përforcuar angazhimin tonë të qëndrueshëm për një sistem drejtësie që shqiptarët duan dhe e meritojnë”, thuhet në njoftimin e ambasadës.