Ambasada e SHBA në Tiranë takon gjyqtarët e GJKKO dhe Apelit: Pavarësia juaj lufton korrupsionin
Një ekip i Ambasadës amerikane në Tiranë ka zhvilluar një takim me gjyqtarët e GJKKO dhe Apelit të Gjykatës së Posaçme, ku në foks ka qenë pikërisht lufta kundër krimit dhe korrupsionit.
Ambasada amerikane ka ripërsëritur mbështetjen që SHBA i jep gjyqësorit të pavarur, pasi ata kanë rol kryesor në luftimin e korrupsionit dhe krijimin e një sistemi ligjor transparent.
“Ekipi ynë i Ambasadës së fundmi priti gjyqtarë nga Gjykatat Speciale të Shkallës së Parë dhe të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të theksuar rolin vendimtar të gjyqtarëve të pavarur që shërbejnë me integritet në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe terrorizmit. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara në mbështetjen e tyre për gjyqtarët e Gjykatave Speciale, pasi ato punojnë për të dhënë drejtësi brenda një sistemi ligjor transparent për të gjithë qytetarët shqiptarë”, shkruan ambasada Amerikanë në Tiranë.
Në këtë takim është ritheksuar edhe njëherë se SHBA mbështet fort reformën në drejtësi dhe funksionin e një sistemi gjyqësor i pavarur dhe i pandikuar. Për të dhënë mesazhin se Shqipëria duhet t’i jap fund pandëshkueshmërisë dhe GJKKO dhe SPAK duhet të bëjnë punën e tyre të pavarur do të jetë edhe vizita e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken i cili vjen në Tiranë më 15 shkurt dhe është parashikuar një takim dhe me kreun e SPAK Altin Dumani.