Ambasadorët e BE-së takojnë Dumanin: Mbështetje të fortë për SPAK-un, ka treguar sukses në luftën kundër korrupsionit
Ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian kanë shprehur mbështetje të fortë ndaj SPAK-ut dhe kreut të këtij institucioni, Altin Dumani.
Sipas një njoftimi për shtyp të ambasadës gjermane në Tiranë, kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani, ka zhvilluar të mërkurën një takim me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian. Ai, në këtë takim, ka prezantuar punën e institucionit që drejton, SPAK.
“Ditën e sotme, Altin Dumani, kreu i Prokurorisë së Posaçme SPAK, prezantoi punën e tij para ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së në Europe House. SPAK është pjesë e pazëvendësueshme e reformave në drejtësi dhe tashmë ka treguar sukses të madh në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ne e përgëzojmë Altin Dumanin dhe ekipin e tij për këto arritje dhe do të vazhdojmë ta mbështesim më tej punën e tij”, thuhet në njoftimin e ambasadës gjermane.
Takimi i ambasadorëve të BE-së me kreun e SPAK-ut vjen në momentin kur ky institucion ka nën hetim figura të larta të politikës dhe të qeverisë duke nisur që nga ish- presidenti dhe ish- kryeministri, Sali Berisha, ish- ministrat, Arben Ahmetaj dhe Ilir Beqaj, deputeti Fatmir Mediu, si dhe mjaft figura të njohura të rretheve familjare të politikanëve dhe ish- drejtuesve të lartë të shtetit.
Prokurorë të SPAK-u, si dhe drejtuesi i këtij institucioni, Altin Dumani, prej disa muajsh janë vënë në qendër të sulmeve nga politikanë të lartë, të cilët akuzohen për korrupsion.