Ambasadori francez Guerot : Ne bëjmë thirrje për pezullimin e rregullores të BQK-së për të informuar popullatën
Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, në një deklaratë për median në Kosovë, ka bërë thirrje për shtyrje të vendimit për zbatim të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) e cila përcakton euron si monedhë të vetme për pagesat me para të gatshme në Kosovë deri sa të adresohen shqetësimet e komuniteteve.
Sipas tij, gjatë kësaj periudhe tranzicioni duhet të ketë më shumë informim e konsultime para se të implementohet.
“Kërkesa jonë që e kemi bërë, ne dhe vendet e QUINT-it është që të bëhet një tranzicion para se të implementohet kjo rregullore, duhet të ketë më shumë konsultime dhe informata para se të implementohet. Ne bëjmë thirrje për pezullimin e kësaj rregullore për hir të informimit të duhur të popullatës, dhe mundësinë e gjetjes së zgjidhjeve së mundshme teknike”, ka deklaruar Guerot.
Ndaj tha ambasadori, është e rëndësishme që të dy palët të ulen dhe të diskutojnë çështjet teknike para implementimit të kësaj rregulloreje dhe se kanali i vetëm sipas tij për zgjidhjen e kësaj situate është dialogu.
“Mendoj që është gjë e rëndësishme për të gjithë përkundër teknaliteteve, po flasim për pensionet, pagat dhe në mënyrën e duhur të funksionimit të shkollave dhe spitaleve që janë përdorur nga komuniteti serb në këtë vend. Rregullorja e BQK-së ka për qëllim të ketë më shumë transparencë dhe ne këtë e përkrahim, sidoqoftë e ka potencialin e një ndikimi direkt se si do të veprojë ky komunitet, si do të marrin pensionet ata njerëz, do të donim të ketë më shumë konsultime para se të implementohet e njëjta dhe një informim më i gjerë për njerëzit, është fjala për çështje konkrete që ndikojnë te një pjesë e madhe e njerëzve”, ka vijuar ai.
Guerot thotë se qeveria e Kosovës sikurse qeveritë demokratike duhet të gjejnë mënyra të duhura që kur të propozojnë diçka të mos ndalojnë diçka tjetër, në këtë rast transfertat.