Ambasadori i SHBA-së apelon kryebankierin e Kosovës të shtyjë vendimin për dinarin
Amerika i ka kërkuar sërish Bankës së Kosovës që të tërhiqet nga vendimi për të mos përdorur më dinarin si valutë për shkëmbime tregtare.
Në lidhje më çështjen, ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Xhef Hovenier (o. Jeff Hovenier), takoi të hënën kreun e Bankës Qendrore Kosovare, Ahmet Ismaili.
Sipas rregullores së miratuar nga BQK-ja, serbët në Kosovë nuk do të munden të përdorin dinarin nga data 1 shkurt, por vetëm monedhën euro.
“Sot pata një takim produktiv me guvernatorin e BQK-së, Ahmet Ismaili. Unë përsërita shqetësimet e SHBA-së për zbatimin e rregullores së ndryshuar rreth operacioneve me para të dorë. Apelojmë që ky detyrim të shtyhet për t’i dhënë kohë një tranzicioni efektiv dhe komunikimit publik për të zbutur impaktin negativ mbi qytetarët,” shkroi z. Hovenier në rrjetin “X”.
Shtetet e KUINT-it – SHBA, Britani e Madhe, Gjermani, Itali dhe Francë – kanë kërkuar shtyrjen e vendimit të BQK-së, që ka “ndikim në veçanti te komunitetet me shumicë serbe”, ndërkohë që banka qendrore e Kosovës ka argumentuar se vendimi i saj përputhet me Kushtetutën. Sipas partisë Lista Serbe, vendimi do të rrezikonte “mbijetesën e serbëve” në Kosovë.
Dinari serb përdoret në të gjitha vendbanimet me shumicë serbe për të kryer pagesat dhe nga institucionet serbe në Kosovë, si edhe pensionet e ndihmat sociale.