Ambasadori Malaj: Shqipëria pritet të vizitohet nga 14 mln turistë, gjysma nga Kosova
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Petrit Malaj ka deklaruar në RTSH24 se vendi ynë pritet të vizitohet nga 14 milionë turistë, ku gjysma e tyre sipas tij, janë nga Kosova.
Duke folur mbi turizmin, Malaj theksoi se shqiptarët e Kosovës janë të lidhur me vendet turistike të Shqipërisë.
Ai vuri në dukje se pavarësisht se shqiptarët e Kosovës kanë përfituar nga liberalizimi i vizave duke iu dhënë mundësi të eksplorojnë vende të tjerë, sërish sipas Malajt, ata do të vijojnë të jenë të lidhur me Shqipërinë.
“Shqiptarët e Kosovës janë numri më i madh i atyre që hyjnë në Shqipëri për të kryer pushimet. Qeveria shqiptare e ka prioritet turizmin. Ne e dimë se presim të kemi rreth 14 milionë turistë në Shqipëri. Një pjesë e madhe, thuajse gjysma të jenë nga Kosova.
Mendoj se operatorët turistikë të Shqipërisë kanë përgatitur oferta të posaçme që shqiptarët e Kosovës të vazhdojnë të ruajnë atë trendin e përhershëm që kanë me Shqipërinë dhe mund t’ju them se shumë shqiptarë nga Shqipëria vijnë për turizmin malor dhe e shfrytëzojnë më së miri këtë gjë.
Ndërkaq, Durrësi, Lezha, Vlora dhe Saranda janë bërë të përhershëm për shqiptarët e Kosovës, kanë blerë edhe prona aty. Kanë biznese.
Pra ata kanë një lidhje tepër të fuqishme me Shqipërinë dhe një lidhje e cila vazhdon. Tashmë që shqiptarët e Kosovës lëvizin lirshëm tendenca për eksplorim për në vendet e tjera prej tyre do të jetë, por kjo nuk do të thotë se do të shkëputin lidhjen e tyre të ngushtë që kanë me turizmin shqiptar”, u shpreh Malaj në një intervistë për RTSH24.