Ambasadori Reka takon Xhaferin: Mundësi reale për integrimin në BE, nuk duhet humbur
Marrëdhëniet Shqipëri–Maqedoni e Veriut kontribuojnë në stabilitetin e rajonit dhe gjithë Europës, prandaj të dyja vendet janë angazhuar për fqinjësi të mirë.
Të mërkurën, kryeministri maqedonas Talat Xhaferi priti ambasadorin e Shqipërisë në vend, Fatos Reka. Diplomati shqiptar uroi z. Xhaferi edhe në emër të qeverisë z. Xhaferi për zgjedhjen e tij në krye të ekzekutivit.
Dy zyrtarët folën për përpjekjet e përbashkëta të vendeve për t’u integruar me familjen europiane, si edhe ekonomikisht mes tyre.
“Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria zhvillohen me sukses në rrugën evropiane dhe meritojnë anëtarësim të plotfuqishëm në Bashkimin Europian në një proces dinamik deri në vitin 2030. Kjo, siç u vlerësua, është me rëndësi për qytetarët e të dy vendeve, por edhe për stabilitetin europian, për shkak të kontekstit aktual gjeopolitik, prandaj mundësia shumë reale e deritanishme e integrimit europian për të dyja vendet nuk duhet humbur,” thuhet në komunikatë.
Nga ana e tij, z. Xhaferi tha se qeveria e përkohshme, që ai po drejton deri në zhvillimin e zgjedhjeve politike të radhës, bazohet në një koalicionin proeuropian, i cili si kurs politik ka integrimin dhe cilësinë e jetës së qytetarëve.
Palët diskutuan edhe mbi hapësirat për bashkëpunim. Z. Xhaferi dhe z. Reka u pajtuan se duhet forcuar integrimi ekonomik rajonal për një qasje të lirë në tregun e punës dhe identifikimin elektronik të qytetarëve në Ballkanin Perëndimor. Si Shqipëria, edhe Maqedonia e Veriut pritet ta fuqizojnë bashkëpunimin ekonomik edhe përmes lidhjeve infrastrukturore në ndërtim e sipër, siç janë Korridori 8 dhe 10.