Ambasadori Rohde njofton partitë politike për kufizimet e fushatës zgjedhore në Gjermani
Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, ka njoftuar partitë politike se autoritetet gjermane nuk do lejojnë zhvillimin e aktiviteteve të fushatës elektorale në territorin gjerman, nëse të njëjtat organizohen dhe zhvillohen përbrenda periudhës prej më pak se tre muajve nga data e zgjedhjeve parlamentare (9 shkurt 2025).
Në një reagim nëpërmjet platformës “X”, ambasadori shkruan se, “sa i përket zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në Kosovë, kemi informuar Ministrinë e Punëve të Jashtme [dhe Diasporës] dhe partitë politike për rregulloren tonë specifike. Kjo rregullore përfshin aktivitete të fushatës zgjedhore për zgjedhjet në Kosovë që zhvillohen në tokën gjermane”, ka thënë fillimisht ambasadori gjerman.
“Rregullorja përcakton se lejet përgjithësisht nuk do të jepen nëse aktiviteti zhvillohet brenda periudhës më pak se tre muaj para datës së zgjedhjeve në vendin përkatës,” ka theksuar Rohde nëpërmjet një postimi në platformën “X” të hënën pasdite.
Deklarata e ambasadorit vjen në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet në Kosovë, duke nënvizuar rëndësinë e respektimit të rregullave dhe procedurave për aktivitetet politike që mund të zhvillohen jashtë vendit.
Rohde si shkas për rikujtim ka marrë zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, që do të mbahen më 9 shkurt.