Amendamenti- Basha: Qeveria të japë 50 mln euro ndihmë ushtarake për Kosovën
Partia Demokratike do të parqesë së shpejti një amendament në Kuvend, nëpërmjet të cilit do të kërkojë që qeveria shqiptare t’i japë 50 mln euro Kosovës në fushën e mbrojtjes.
Lajmi u bë i ditur nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë një konference për shtyp me gazetarët në selinë e partisë.
Sipas tij, armatosja dhe përgatitja e Serbisë për një konjukturë të volitshme politike revanshi në Ballkan e në veçanti në Kosovë është mëse e dukshme.
“Kosova dhe partnerët e saj i kanë bërë të qarta qëndrimet e tyre jo vetëm me fjalë, por edhe me mesazhe. Në Tiranë nuk dëgjohet gjë tjetër përveç kukuvajkave nga mëngjesi deri në darkë, asgjë për interesin dhe sigurinë kombëtare.”, tha Basha.
Sipas tij, javën tjetër PD do të paraqesë një amendament për buxhetin e shtetit, nëpërmjet të cilit do të kërkojë rialokim e rreth 5 mld lekëve ndihmë ushtarake për Kosovën.
“Që kjo të mos mbetet në kuadër të propozimeve, do të marrë formë ligjore. Ekspertët ekonomikë të PD, kanë hartuar një amendament të plotë në përputhje me buxhetin e 2024. Ky amendament që do depozitohet të hënën do kërkojë alokimin e 5 mld lekë të reja si ndihëm ushtarake për Kosovën. S’e kam fjalën për pajisje të vjetra të FA. Kam parasysh financa në dispozicion të autoriteteve të Kosovës”, tha Basha.