Amerikanët dhe BE në Prishtinë, gazetarja Edona Podvorica: Kërkesa kryesore, krijimi i Asociacionit
Krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pritet të jetë kërkesa kryesore ndaj Prishtinës nga të dërguarit e BE dhe SHBA, që pritet të mbërrijnë të shtunën (21 tetor). Kështu u shpreh gazetarja nga Prishtina, Edona Podvorica gjatë një lidhje me Skype për RTSH24.
Podvorica tha se ata do të kenë kërkesa të qarta ndaj të dy vendeve, që lidhen kryesisht me marrëveshjen bazë të firmosur mes palëve dhe anekset e firmosura në marrëveshjen e Ohrit.
“Do të jenë në një takim me kryeministrin Albin Kurti, ndërsa sipas gjasave do të mbahet në ndërtesën e qeverisë së Kosovës. Vijnë në një vizitë një ditore në Prishtinë dhe Beograd me kërkesa të qarta për marrëveshjet e arritur mes dy vendeve, marrëveshja bazë dhe anekset në marrëveshjen e Ohrit. Kërkesa kryesore për Kosovën nesër do të jetë fillimi i punës për krimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Zhvillimet e fundit në veri të vendit kanë ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve. Me kërkesa të qarta, ky dialog do të jetë i vështirë të funksionojë siç ka funksionuar deri tani. Prishtina zyrtare kërkon që shteti Serb të ndëshkohet nga BE dhe të sanksionohet për të gjitha ato që ndodhën në veri”, u shpreh Podvorica.
Të shtunën, të dërguarit e BE dhe SHBA Miroslav Lajçak e Gabriel Eskobar të shoqëruar nga diplomati francez Emanuel Bon, ai gjerman Jens Pletner dhe italiani Françesko Talo do të qëndrojnë fillimisht në Prishtinë e më pas do të shkojnë për bisedime në Beograd.