AMF përgatit projektrregulloret në zbatim të ligjit të ri “Për fondet e pensionit privat”
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) nxjerr për konsultim publik projektrregulloren në zbatim të ligjit të ri “Për fondet e pensionit privat”.
Në këtë projektrregullore përcaktohen kërkesat mbi mjaftueshmërinë e kapitalit të shoqërisë administruese, si dhe forma, llogaritja dhe shuma e fondeve që duhet të ketë çdo kohë shoqëria administruese e fondeve të pensionit privat.
Fondet e veta të shoqërisë administruese të fondeve, në çdo kohë, duhet të jenë të paktën në vlerën 15.8 milionë lekë. Nëse totali i aktiveve nën administrim nga shoqëria administruese, tejkalon shumën prej 31.6 miliardë lekë, vlera e fondeve të veta të shoqërisë administruese e përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, zmadhohet me 0.02 % të shtesës së vlerës së aktiveve nën administrim nga shoqëria administruese mbi kufirin e përmendur në këtë pikë deri në maksimumin prej 1.3 miliardë lekë.
Pavarësisht sa është parashikuar në këtë nen, fondet e veta të shoqërisë administruese nuk duhet të jenë më pak se 1/4 e shpenzimeve fikse të shoqërisë administruese të llogaritura, bazuar në pasqyrat financiare të vitit paraardhës.
Ligji i ri “Për Fondet e Pensionit Privat” ka sjellë rritje të ndjeshme të lehtësi fiskale për kontributet në fondet private të pensioneve. Me ligjin e mëparshëm, kufiri maksimal për lehtësitë tatimore mbi kontributet në pensione private, është vlera më e vogël, që del nga krahasimi i shumës 200 mijë lekë dhe 15% të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit.