AMF: Primet nga sigurimi vullnetar, 8.9 miliardë lekë në 2023-shin
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) bën të ditur se primet e sigurimit vullnetar gjatë vitit 2023 arritën rreth 8.9 miliardë lekë, 12.03% më shumë se në vitin 2022.
Sipas raportit të publikuar së fundmi, numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 0.01% krahasuar me vitin 2022.
Primet e sigurimit vullnetar të Jo-Jetës gjatë vitit 2023, patën një rritje me 13.16% kundrejt vitit 2022.
Në portofolat e “pronës, përgjegjësive, garancive” të cilat gjatë vitit 2023 siguruan mbi 3.8 miliardë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë “zjarri dhe dëmtime të tjera në prone”, me rreth 64.40%, të pasuara nga sigurimi i “përgjegjësisë së përgjithshme” me 25.90% të totalit.
Në portofolin sigurimi nga “zjarri dhe forcat e natyrës”, gjatë vitit 2023, vihet re një rritje prej 15.73% e vëllimit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 3.79% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me vitin 2022.
Të ardhurat nga sigurimet e “aksidenteve dhe shëndetit”, gjatë vitit 2023, arritën në rreth 1.3 miliardë lekë, duke shënuar një ulje prej 1.04% në krahasim me vitin 2022.
Primet nga sigurimet e Jetës gjatë vitit 2023, arritën rreth 1.8 miliardë lekë, ose 10.31% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.