AMF synon miratimin e një ligji të ri për sigurimet brenda këtij viti
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare po harton disa ndryshime të rëndësishme në ligjin për sigurimet me objektiv miratimin e tyre brenda 2024.
Ndryshimi i ligjit në fjalë është pjesë e procesit të përafrimit të legjislacionit me Bashkimin Europian. Ligji aktual “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit” do të ndryshohet për tu përputhur me Direktivën 2009/138 mbi fillimin dhe ndjekjen e biznesit të sigurimeve apo siç njihet direktiva e Solvency 2 (Aftësisë Paguese).
Ndër risitë kryesore që pritet të sjellë ligji i ri është aplikimi i një standardi të ndryshëm në kërkesat për kapital ndaj shoqërive të sigurimit. Kërkesat për kapital nuk do të jenë fikse, por të ndryshueshme, duke u rritur në përpjestim me rrezikun që çdo kompani sigurimi merr përsipër. Megjithatë, implementimi i plotë i kërkesave të reja ligjore që do të bazohen në direktivën e Solvency 2 pritet të jetë një proces gradual dhe i shtrirë në kohë. Objektivi është që implementimi i plotë të arrihet brenda një afati kohor 7-vjeçar.
Sipas AMF, ligji i ri pritet të sjellë gjithashtu edhe kërkesa të reja cilësore lidhur me standardet e qeverisjes së kompanive. Një risi tjetër do të jetë raportimi i konsoliduar në nivel të grupeve të biznesit. Për kompanitë që e sigurimeve që janë të pranishme me filiale të tyre në tregjet që mbikëqyren nga Banka e Shqipërisë (tregu bankar, mikrofinanciar, apo ai i pagesave) do të synohet një mbikëqyrje e konsoliduar, në bashkëpunim me bankën qendrore.
Në tregun shqiptar aktualisht veprojnë tetë kompani me aktivitet në sigurimet e Jo-Jetës dhe katër kompani të sigurimit të Jetës. Sipas të dhënave nga AMF, në fund të 9-mujorit 2023, totali i aktiveve të tregut kishte vlerën e 46.7 miliardë lekëve. Që prej fillimit të vitit, madhësia e tregut të sigurimeve është rritur me 7.2%.
Kapitali aksioner i tregut arriti në total vlerën e 15.4 miliardë lekëve ose rreth 145 milionë eurove.