Amnistia Penale, Alibeaj: Po sakrifikoni drejtësinë. Manja: Nuk përfitojnë të dënuarit nga GJKKO
Amnistia Penale, e cila do të votohet këtë të enjte (4 prill) në Kuvend, ka përplasur deputetin demokrat Enkelejd Alibeaj dhe ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja.
Alibeaj ka kërkuar që Amnistia të rikthehet në Komisionin Parlamentar të Ligjeve.
Ai u shpreh se deputetët me qëllim ruajtjen e mandateve, kanë pranuar të votojnë Amnistinë duke sakrifikuar kështu, drejtësinë.
“Të gjithë heshtin e bëhen gati për të miratuar një akt që përmban amoralitet politik. I sakrikfikuari i madh sot është drejtësia, me amnistinë që do e votoni në heshtje, sepse Komisioni i Ligjeve duhet të kishte parë 4 amendamente.
Sot i jepet vota për të ulur dënimin 1.5 vite burrave, 2 vite grave që janë dënuar nga SPAK e GJKKO. Ky është testi i parë i hidhur i kësaj marrëveshje.
Më së pari bëni transparencë duke e rikthyer te Ligjet në mënyrë që publiku ta kuptojë se ç’po gatuhet në këtë seancë.
Deputetët kanë frikë humbjen e mandateve dhe nën frikën e SPAK. Janë së paku në dijeninë time 4 amendamente, 3 nga të cilët godasin drejtpërdrejtë SPAK-un”, tha Alibeaj.
Ministri Manja i kërkoi demokratit që të mos përdorë projektligjin për të bërë politikë. Manja garantoi se asnjë i dënuar nga GJKKO nuk përfiton nga Amnistia, ndërsa shtoi se në pr.ligj janë përfshirë dhe propozimet e opozitës në lidhje me protestuesit.
“Mos bëni më politikë me këtë pr.ligj.
Njerëz të dënuar nga drejtësia që kushtetuta e ligji u japin të drejtën që të përfitojnë nga një amnisti e të bashkohen me familjet pak para mbarimit të plotë të vuajtjes së dënimit.
Lexoni ligjin, asnjë i dënuar nga GJKKO as nuk përfiton nga kjo amnisti, as nuk i zbritet dënimi, ky amendament do votohet sot. Madje janë akomoduar edhe kërkesat e opozitës për protestuesit, por jo siç i kërkuat ju 2018-2020, por protestuesit, ata që kanë protestuar në këtë vend, që ndiqen penalisht, apo janë nën hetim nga drejtësia.
Kemi thënë zbritje dënimi 1.5 vite për burrat e 2 vite për gratë. Po del kjo sikur është Amnistia e parë që votohet këtu”, tha Manja.