Amnistia penale, Alibeaj: Të lirohen qytetarët e arrestuar gjatë protestave nga 1 tetor 2018-31 dhjetor 2020

Deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj ka prezantuar në Komisionin e Ligjeve amendamentet lidhur me projekt ligjin për amnistinë penale, ku kërkon lirimin e të gjithë personave të arrestuar gjatë protestave të opozitës dhe atyre të qytetarëve, nga 1 tetori i vitit 2018 deri 31 dhjetor i vitit 2020.

Alibeaj tha se ky amendament për amnistinë penale do të sjellë përfitime për uljen e mbipopullimit në burgje, reduktimin e ngarkesës së punës në prokurori dhe gjykata.

“Në këtë kuadër, amendamenti i paraqitur synon të rregullojë situatën e një kategorie specifike qytetarësh, të cilët kanë hyrë në konflikt me ligjin për arsye politike. Bëhet fjalë për qytetarët të cilët kanë marrë pjesë në protestat e organizuara nga Partia Demokratike dhe aleatët politikë të saj në periudhën 01.10.2018 – 31.12.2020. Në të njëjtën periudhë janë organizuar edhe disa protesta qytetare, midis të cilave vlejnë të përmenden e gjithë seria e protestave të banorëve të zonës së Astirit në Tiranë, seria e protestave kundër shembjes së Teatrit Kombëtar në Tiranë, seria e protestave të banorëve të Bregut të Lumit, seria e protestave të banorëve të zonës së Shkozës, seria e protestave të studentëve apo protestat kundër vrasjes policore të të riut Klodian Rasha. Sipas të dhënave të mbledhura nga strukturat e Partisë Demokratike, që shpesh kanë ofruar edhe mbrojtje juridike falas, rezulton se gjatë protestave të kësaj periudhe dhe për shkak të revoltimit për të drejtat politike, ekonomike dhe sociale, disa prej protestuesve kanë hyrë në konflikt me ligjin”, tha Alibeaj.

Alibeaj tha amendamenti vjen në tre nene, ku i shërben protestuesve që kanë marrë cilësinë e të dënuarit dhe rregullon amnistinë e protestuesve, për të cilët ndjekja penale është në proces e sipër në prokurori dhe gjykatë

 “Amendamenti është formuluar me tre nene. Neni 1 i referohet protestuesve që tashmë kanë marrë cilësinë e të dënuarit. Neni 2 ka saktësuar formulimin ekzistues të projektligjit që flet për kriteret ndaluese të amnistisë dhe për ta përputhur me qëllimin e amendamentit. Ndërsa neni 3 rregullon amnistinë e protestuesve, për të cilët ndjekja penale është në proces e sipër në prokurori dhe gjykatë”, tha Alibeaj.

AMENDAMENT PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË PROJEKTLIGJIN
“PËR DHËNIE AMINISTIE”
 
Në mbështetje të nenit 71, pika 1, të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, me propozim të deputetit Enkelejd Alibeaj, në projektligjin “Për dhënie amnistie”, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
 
Neni 1
 
Në nenin 3, pika 1 shtohet shkronja ë) me përmbajtjen si vijon:
 
“ë) personat e dënuar për veprat penale të parashikuara nga nenet 150, 151, 235, 236, 237 dhe 282 të Kodit Penal, të kryera gjatë tubimeve ose protestave politike dhe qytetare të organizuara në periudhën 01.10.2018 – 31.12.2020”.
 
Neni 2
 
Në nenin 4, pika 1, shkronja k) hiqet numri “237”.
 
Neni 3
  
Pas nenit 6, shtohet neni 6/1 me përmbajtjen si vijon:
 
“Neni 6/1
Dhënia e amnistisë nga ndjekja penale për protestuesit
 
Përjashtohen nga ndjekja penale si dhe pushohen të gjitha çështjet penale në hetim, çështjet e pashqyrtuara ose në proces shqyrtimi nga gjykatat, si dhe për kallëzimet që ndodhen në këto organe, pavarësisht nga data e regjistrimit të tyre, për veprat penale të kryera gjatë tubimeve apo protestave politike dhe qytetare të organizuara në periudhën 01.10.2018 – 31.12.2020, të parashikuara nga nenet 150, 151, 235, 236, 237 dhe 282, të Kodit Penal”. 

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.