Categories: LajmePolitikë

Amnistia penale, Alibeaj: Të lirohen qytetarët e arrestuar gjatë protestave nga 1 tetor 2018-31 dhjetor 2020

Deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj ka prezantuar në Komisionin e Ligjeve amendamentet lidhur me projekt ligjin për amnistinë penale, ku kërkon lirimin e të gjithë personave të arrestuar gjatë protestave të opozitës dhe atyre të qytetarëve, nga 1 tetori i vitit 2018 deri 31 dhjetor i vitit 2020.

Alibeaj tha se ky amendament për amnistinë penale do të sjellë përfitime për uljen e mbipopullimit në burgje, reduktimin e ngarkesës së punës në prokurori dhe gjykata.

“Në këtë kuadër, amendamenti i paraqitur synon të rregullojë situatën e një kategorie specifike qytetarësh, të cilët kanë hyrë në konflikt me ligjin për arsye politike. Bëhet fjalë për qytetarët të cilët kanë marrë pjesë në protestat e organizuara nga Partia Demokratike dhe aleatët politikë të saj në periudhën 01.10.2018 – 31.12.2020. Në të njëjtën periudhë janë organizuar edhe disa protesta qytetare, midis të cilave vlejnë të përmenden e gjithë seria e protestave të banorëve të zonës së Astirit në Tiranë, seria e protestave kundër shembjes së Teatrit Kombëtar në Tiranë, seria e protestave të banorëve të Bregut të Lumit, seria e protestave të banorëve të zonës së Shkozës, seria e protestave të studentëve apo protestat kundër vrasjes policore të të riut Klodian Rasha. Sipas të dhënave të mbledhura nga strukturat e Partisë Demokratike, që shpesh kanë ofruar edhe mbrojtje juridike falas, rezulton se gjatë protestave të kësaj periudhe dhe për shkak të revoltimit për të drejtat politike, ekonomike dhe sociale, disa prej protestuesve kanë hyrë në konflikt me ligjin”, tha Alibeaj.

Alibeaj tha amendamenti vjen në tre nene, ku i shërben protestuesve që kanë marrë cilësinë e të dënuarit dhe rregullon amnistinë e protestuesve, për të cilët ndjekja penale është në proces e sipër në prokurori dhe gjykatë

 “Amendamenti është formuluar me tre nene. Neni 1 i referohet protestuesve që tashmë kanë marrë cilësinë e të dënuarit. Neni 2 ka saktësuar formulimin ekzistues të projektligjit që flet për kriteret ndaluese të amnistisë dhe për ta përputhur me qëllimin e amendamentit. Ndërsa neni 3 rregullon amnistinë e protestuesve, për të cilët ndjekja penale është në proces e sipër në prokurori dhe gjykatë”, tha Alibeaj.

AMENDAMENT PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË PROJEKTLIGJIN
“PËR DHËNIE AMINISTIE”
 
Në mbështetje të nenit 71, pika 1, të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, me propozim të deputetit Enkelejd Alibeaj, në projektligjin “Për dhënie amnistie”, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
 
Neni 1
 
Në nenin 3, pika 1 shtohet shkronja ë) me përmbajtjen si vijon:
 
“ë) personat e dënuar për veprat penale të parashikuara nga nenet 150, 151, 235, 236, 237 dhe 282 të Kodit Penal, të kryera gjatë tubimeve ose protestave politike dhe qytetare të organizuara në periudhën 01.10.2018 – 31.12.2020”.
 
Neni 2
 
Në nenin 4, pika 1, shkronja k) hiqet numri “237”.
 
Neni 3
  
Pas nenit 6, shtohet neni 6/1 me përmbajtjen si vijon:
 
“Neni 6/1
Dhënia e amnistisë nga ndjekja penale për protestuesit
 
Përjashtohen nga ndjekja penale si dhe pushohen të gjitha çështjet penale në hetim, çështjet e pashqyrtuara ose në proces shqyrtimi nga gjykatat, si dhe për kallëzimet që ndodhen në këto organe, pavarësisht nga data e regjistrimit të tyre, për veprat penale të kryera gjatë tubimeve apo protestave politike dhe qytetare të organizuara në periudhën 01.10.2018 – 31.12.2020, të parashikuara nga nenet 150, 151, 235, 236, 237 dhe 282, të Kodit Penal”. 

RTSH Shkodra

Recent Posts

Rikthimi i magjishëm i Shaqirit, tripletë Servetes dhe lider absolut i kampionatit

Super Liga Zviceriane ka një “zot” dhe ai quhet Xherdan Shaqiriri. Në moshën 33-vjeçare fantazisiti…

11 hours ago

Mungon vetëm zyrtarizimi, Del Piero synon postin e presidentit të federatës

Më 3 shkurt, Federata Italiane e Futbollit (FIGC) do të zgjedhë presidentin e ri dhe…

11 hours ago

Dëmtohet Vinicius Jr, braziliani humbet sfidën ndaj Liverpulit

Një lajm  i keq vjen për Realin e Madridit në prag të ndeshjes së Champions…

11 hours ago

“Gruaja fshatare” e Van Gogh – Muzeu Noordbrabants pagoi 8.6 milionë euro për ta bërë të vetën

‘’Koka e një gruaje’’,(Gordina de groot), është piktura e impresionistit   Vincent van Gogh, që mbeti…

11 hours ago

16 ditët e aktivizimit kundër dhunës ndaj grave – 1 në 3 gra në Shqipëri ende përjeton dhunë

Me gjithë inkurajimin dhe mbështetjen e shtuar ndër vite për ta denoncuar dhunën me bazë…

11 hours ago

Aktivitet për festat kombëtare – Nxënësit e gjimnazit “Jordan Misja” vishen kuq e zi

Interpretime, këngë, valle dhe ngjyra kuq e zi ishin pjesë e festës në gjimnazin “Jordan…

12 hours ago

This website uses cookies.